“Një deputet i Partisë Socialiste hetohet për vrasje”

Shqipëria

“Një deputet i Partisë Socialiste hetohet për vrasje”

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 10:43
Selia e Partisë Socialiste

Gati një vit pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, tre zyrtarë të lartë kanë rezultuar me probleme ligjore.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi dje se, deputetët Dashamir Tahiri e Shkëlqim Selami  si dhe kreu i Bashkisë së Kavajës i zgjedhur nga PS-ja, Elvis Rroshi duhet të lënë funksionet publike.

Të tre zyrtarët rezultojnë se, në formularin e dekriminalizimit kanë fshehur dënime apo procedime penale që kanë pasur në disa vende të BE-së vite më parë. Konkretisht, sipas Prokurorisë, deputeti Dashamir Tahiri nuk ka deklaruar se në vitin 1995 është ndaluar nga policia në Itali për falsifikim parash. Gjithashtu, Tahiri në vitin 2009 është dënuar nga gjykata italiane për përdorim të leje drejtimi shqiptare të falsifikuar. Ndërsa deputeti Shkëlqim Selami nuk ka treguar të vërtetën për një masë arresti me burg. Sipas Prokurorisë, Selami është arrestuar me një vendim të Gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “trafikim të qenieve njerëzore”.

Po ashtu edhe Kryebashkiaku Elvis Roshi, sipas Prokurorisë ka fshehur nga formulari disa procedime të drejtësisë italiane dhe asaj zvicerane. Një fakt i ri që ka nxjerrë prokuroria lidhur me kreun e Bashkisë së Kavajës është se, “në vitin 2015, DEA ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonte një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”. Dyshimet janë se, Enver Roshi është një nga 5 emrat që përdorte Elvis Roshi.

Të tre zyrtarët kanë dhënë sqarimet e tyre lidhur me këto ngjarje. Deputeti Tahiri tha se, akuzat ishin qesharake. Deputeti tjetër i Vlorës, Shkëlqim Selami deklaroi për mediat se nuk ka fshehur asgjë në deklarimin e tij dhe se nuk i kuptonte veprimet e prokurorisë. Kreu i Bashkisë së Kavajës, rasti i të cilit është më i njohur për publikun, ka deklaruar më herët se sulmet ndaj tij janë politike.

Pavarësisht sqarimeve të tre zyrtarëve, fakti është se procedimet e kryera në vendet e tjera nuk janë pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin. Për këtë arsye, Prokuroria ka nisur procedimin ndaj tyre edhe për falsifikim të dokumenteve. Ndërkohë që, po dje, Prokuroria kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisjen e procedurës për zëvendësimin e dy deputetëve që tashmë preken nga ligji i dekriminalizimit.

Tre zyrtarët janë emrat e parë të funksionarëve të lartë publik që do të lenë mandatet për shkak të së kaluarës së tyre. Sigurisht, si çdo qytetar tjetër, ata kanë të drejtë që të ndjekin rrugët ligjore për verifikimin e plotë të pretendimeve të prokurorisë. Por deri më tani ligji i ka nxjerrë si të papërshtatshëm për funksionet publike që mbajnë.

Ky është suksesi i parë i ligjit të dekriminalizimit dhe nisja e një procesi të ri në politikën shqiptare. Emrat e proceduara, dje, nga prokuroria u përkasin kampeve nga e majta dhe e djathta. Gjë që do të thotë se, zyrtarët me probleme ligjore nuk janë raste sporadike, por një fenomen i përhapur në të gjitha spektrin politik. Pas kësaj, asnjë prej krerëve të politikës nuk mund të thotë më se kriminalizimi i politikës është një sajesë. Tashmë ka emra, që edhe pse bëhen fjalë për vepra të ndryshme penale apo administrative, sipas ligjit nuk meritojnë të jenë zyrtarë apo të zgjedhur.

Kërkesa e bërë dje nga Prokuroria mësohet se është vetëm fillimi i procesit për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Mësohet se, struktura e posaçme e prokurorisë ka në proces verifikimi emra të tjerë politikanësh dhe zyrtarësh që do të bëhen publik në javët në vijim, shkruan koha jonë.

Prokuroria është e vendosur për të spastruar politikën dhe administratën, ndaj këtij elementi, ndonëse palët e akuzuara tregojnë se këto janë sulme politike.

Ka një informacion të besueshëm se janë edhe pesë deputetë të tjerë që po hetohen dhe pritet që prokuroria të kërkojë ndjekjen penale për mashtrime në deklaratën e tyre të pasurisë, ku dy prej tyre hetohen si vrasës. Njëri është nga radhët e PS-së. Letër-porositë në shtete të ndryshme kanë mbërritur dhe priten përgjigjet e tyre, ku dyshohet se këta deputetë kanë kryer krime ose kanë fshehur pasuritë e tyre të fituara nga droga dhe vrasjet.

Prokuroria po përgatit fletë-arrestin për njërin prej këtyre që mendohet se ka bërë dhe vrasje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat