Basha: Rama tentoi të bllokojë dekriminalizimin

Shqipëria

Basha: Rama tentoi të bllokojë dekriminalizimin

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 15:25
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur këtë të mërkurë pas mbledhjes së grupit parlamentar se opozita së bashku me shqiptarët do ta fitojë betejën  e dekriminalizimit, të cilën kryeministri Rama është përpjekur ta sabotojë që në fillim.

“Sot kam një mesazh: Është një ditë për të besuar se mira do ta mund të keqen. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është vetëm fillimi. I inkurajoj të gjitha institucionet ta zbatojnë. Është fitore për shqiptarët, për SHBA-në, për BE-në. Me nisjen e kësaj rruge të re, ndarjen e krimit nga politika, me bashkimin e të gjithë shqiptarëve , jam i sigurt që do ta fitojmë përballjen dhe betejën. Shqipëria do t’u kthehet qytetarëve që iu takon,” tha Basha.

Sipas tij, pas dekriminalizimit opozita dhe shqiptarët kanë një tjetër sfidë  përpara: atë të zgjedhjeve të lira, mungesa e të cilave u ka shkaktuar shqiptarëve shumë padrejtësi.

“Përpara kemi një sfidë tjetër. Sfida e zgjedhjeve të lira. Edi Rama ka dëshmuar mungesë vullneti për zgjedhje të lira e të ndershme. Edi Rama po ndërton një aleancë me krimin, shpëtohet Kelmend Balili, lirohet Shkëlzen Berisha.  Ka një grusht qeveritarësh, kriminelësh të cilët nuk duan zgjedhje të lira. Shumica e shqiptarëve të cilët sot vuajnë krimin, korrupsionin, padrejtësisë, po vuajnë për shkak të mungesës së zgjedhjeve të ndershme. Detyra jonë është që të bëjmë bashkë me shumicën e shqiptarëve jo vetëm denoncuesin por rruga e zgjidhjes së  problemeve. Sot shqiptarët kanë një arsye më shumë për të qenë më pak pesimistë sepse një nga betejat kryesore do ta fitojmë,” u shpreh Basha.

Në fund të prononcimit të tij Basha deklaroi se qëndrimi i tij dhe i PD-së është i qartë: Cdo person duhet t’i nënshtrohet plotësisht ligjit të dekriminalizimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat