Mazhoranca kalon me 84 vota amnistinë, Manjani i keqardhur për opozitën

Shqipëria

Mazhoranca kalon me 84 vota amnistinë, Manjani i keqardhur për opozitën

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 01:14
Kuvendi

Parlamenti në seancën e fundit për këtë sesion, vetëm me votat e mazhorancës miratoi amnistinë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 650 të burgosur në gjithë vendin.  Opozita braktisi votimin duke theksuar se anistia synon të falë zyrtarët e korruptuar dhe me lidhje me krimin, tafikantet e drogës dhe ata që kanë manipuluar zgjedhjet.

Paralamenti i hapi rrugë  faljes dhe lënies së qelive deri në fund të vitit për rreth 650 të burgosur në gjithë vendin, duke miratuar ligjin për amnistinë.

Opozita braktisi votimin,  ndërsa mazhoranca arriti të konfimonte shumicën prej 84 votash falë ish-deputetit demokrat Mhill Fufi dhe deputetit të qarkut të Lezhës Armando Prenga.

Opozita paralajmëroi  më herët votë kundër, me argumentin se amnistia fal trafikantët e drogës, krimet elektorale dhe zyrtarët e lartë  në akuza për korrupsion apo deputetë në proces hetimi  për krime të ndryshme.

Halimi: Të trea ligjet për amnistinë nxjerrin zbuluar Edi Ramën si njeriu që ideoi dhe implementoi në sistem kontratën e politikës me krimin, kontratën më vrastare që mund të bëjë një politikan: Ti shoku kriminel më ndihmo që të fitoj zgjedhjet me forcën e parave dhe dhunën për të mbledhur vota, unë nesër në pushtet të ndihmoj ty dhe ta shpërblej.Kjo është kontrata me krimin.

Por Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, argumentoi se nga amnistia janë përjashtuar zyrtarët e denuar apo në hetim, ndërsa përfitojnë ata të burgosur për krime jo të rënda.

Manjani:Formalisht ne pranojmë dhe amnistinë e krimit por jo të krimit të rëndë, kjo është e sigurtë, jo të vrasjes, jo të krimit të kryer nga zyrtarët e shtetit, jo të dhunës ndaj familjes, jo krimeve seksuale dhe kundër jetës, që janë të përjashtuar nga amnistia.

Halimi: Në nenin pesë keni parashikuar që tu ulni një vit trafikantëve të drogës, vrasësve, përdhunesve, grabitësve. Ky është neni pesë që do ti ulni një vit, siç ja keni ulur vjet dhe parvjet.

Manjani: Tërheqja nga neni pesë, bie amnistia, kaq. Pjesa e mbetur e dënimit u falet dhe jo rri në burg dhe u zbret.

Pas miratimit të amnistisë, Ministri i Drejtësisë reagoi në rrjetin social twitter.

“Maxhoranca mundësoi amnistinë për të paktën 670 të dënuar në burgje! Jam i keqardhur që opozita nuk na u bashkua në këtë vendim human!”

Në seancën e fundit për këtë sesion, parlamenti miratoi dhe ndryshimet ne kodin hekurudhor, ligjin për lojërat e fatit dhe ligjin  për bankat, si dhe marrëveshjen me Shtete e Bashkuara të Amerikës për  kontrollin e lëndëve narkotike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat