Votimi elektronik për anëtarët e Vetingut, PD: Frikë se do të dekonspirohet

Shqipëria

Votimi elektronik për anëtarët e Vetingut, PD: Frikë se do të dekonspirohet

Më: 26 dhjetor 2016 Në ora: 08:29
Lulzim Basha

Procesi i votimit të fshehtë të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, dy strukturat që do të kryejnë procesin e vetingut, ka ngjallur dyshimet e opozitës për mënyrën se si do të kryhet.

Sipas ligjit të vetingut, përzgjedhja e anëtarëve do të bëhet nga dy nënkomisione që do të ngrihen në Kuvend, të cilat do të kenë përbërje të barabartë. Debati i madh politik ishte mënyra se si do të zgjidheshin anëtarët e komisionit që do të “hetojë” pasurinë, lidhjet me personat e inkriminuar dhe aftësitë profesionale.

Do të jetë kjo strukturë që do të certifikojë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë, dhe po kjo strukturë do t’i skarcojë ata nga sistemi. Pikërisht për procesin e përzgjedhjes, Partia Demokratike, me anë të një shkrese drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe sekretares së Përgjithshme të Kuvendit, Albana Shtylla, ngrenë si shqetësim mënyrën se si duhet të jetë teknologjia që do të blejë Kuvendi për të bërë votimin e fshehtë. Demokratët ngrenë si shqetësim faktin se komisionet ad hoc, që kanë përbërje të barabartë, në ligjin e vetingut nuk është parashikuar të ketë drejtues të procesit të votimit.

Në letrën e saj, PD kërkon që procesi i votimit, i cili do të realizohet në çdo rast në mënyrë të fshehtë, të mos ketë mundësi që të anulohet dhe të ripërsëritet. “Në nenin 10 të ligjit nr.84/2016 parashikohet se çdo anëtar i komisionit ad hoc duhet të votojë dhe nuk parashikohet ndonjë situatë se kur procesi i votimit të anulohet. Në këtë kuadër, ne mungesë të specifikimeve në ligj se kur anulohet procesi i votimit, nuk mundet që sistemi të mundë- sojë anulimin e procesit të votimit, nëpërmjet një urdhri subjektiv të “drejtuesit të procesit”, i cili jo vetëm nuk njihet nga ligji, por nuk parashikon asnjë mundësi për ripërsëritje të votimit.

Secili prej anëtarëve që kanë votuar, ka shprehur vullnetin e tij dhe vota e tij nuk mund të anulohet”, thuhet në shkresën firmosur nga Eduard Halimi. Në rastet kur anëtarët nuk votojnë, atëherë procesi nuk mund të quhet i mbyllur. Për anëtarin që nuk voton, Kuvendi merr masa për ta zëvendësuar atë. “Nëse ndonjë nga anëtarët nuk voton, sistemi bën identifikimin dhe seanca plenare merr masat për zëvendësimin e anëtarit që nuk ka votuar. Sipas pikës 4 të nenit 10, ligji nr.84/2016, në çdo rast votimi i kryer nga anëtarët e tjerë është i vlefshëm dhe duhet të ruhet në mënyrë automatike nga sistemi”, thuhet në letrën e PD-së.

MANIPULIMI

Sipas letrës së PD-së, sistemi i votimit për anëtarët e Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit duhet të garantojë privatë- si dhe mundësinë që të mos ndërhyhet nga jashtë për të manipuluar votimin. “Procesi i dekriptimit të votave duhet të mundësohet vetëm në mbarim të procesit të votimit dhe vetëm me pjesëmarrjen e dy anëtarëve të autorizuar (bipartizan) të pajisur me çelësat e dekriptimit të ruajtur në pajisje token harduare të posaçme.

Sistemi duhet të garantojë që asnjë anëtar i vetëm nuk mund të fillojë procesin e dekriptimit në mënyrë të pavarur nga anëtari tjetër dhe, gjithashtu, duhet të mos lejojë dekriptimin e votave para mbylljes së plotë të procesit të votimit, duke shmangur rrjedhjen e informacionit mbi rezultat e pjesshme”, thuhet në kërkesat e PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat