Kushtetuesja kryen vendimmarrje edhe pas mbarimit të mandatit të anëtarëve

Shqipëria

Kushtetuesja kryen vendimmarrje edhe pas mbarimit të mandatit të anëtarëve

Më: 26 dhjetor 2016 Në ora: 15:15
Gjykata Kushtetuese, Shqipëri

Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë në mbrojtje të ligjit themeltar të shtetit që dha verdiktin për ligjin e vettingut dhe ka ende në dorë dy ligje të rëndësishme për reformën në drejtësi, funksionon me gjyqtarë të cilëve iu ka mbaruar mandati.

Juristit Vladimir Kristo, i ka përfunduar mandati 9 vjeçar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese që në muajin prill të vitit 2016. Aktualisht ai shfrytëzon hapësirën kushtetuese që përcakton për vijimin e detyrës deri në emërimin e pasardhësit. Kjo rrugë nuk u ndoq nga kolegu i tij Sokol Berberi, i cili në muajin shtator dha dorëheqjen, duke mos pranuar të jetë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese pasi mandati i kishte përfunduar prej muajt mars.

Po ashtu Bashkim Dedjes, i ka përfunduar mandati si kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mandati si anëtar i përfundon në muajin maj të vitit 2019. Në detyrën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Dedja u zgjodh në tetor të vitit 2013, dhe në bazë të Kushtetutës mandati i tij ka përfunduar prej 2 muajsh, pra në tetor të vitit 2016. Për pak muaj, mandati i përfundon dhe anëtares tjetër të Gjykatës Kushtetuese,  gjyqtares Vitore Tusha, e cila ashtu si Kristo dhe Dedja votuan për rrëzimin e ankimimit të PD për ligjin e vettingut.

Zonja Tusha është zgjedhur si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në mars të vitit 2008 dhe mandati i saj 9 vjeçar përfundon në mars të vitit 2017. Gjykata Kushtetuese do të vijojë të funksionojë dhe për shumë muaj me 8 anëtarë nga 9 që duhet të ketë dhe me mandate të përfunduara për një pjesë të tyre. Pjesë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të jetë trupa kushtetuese aktuale, por dhe emrat të cilët aspirojnë për vendet vakante të krijuar prej muajsh. Dy ligje presin gjykimin e Kushtetueses, ai për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve i ankimuar nga Unioni i Gjyqtarëve dhe ligji për funksionimin e institucioneve mes tyre KLGJ dhe KLP i dërguar nga PD për interpretim kushtetues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat