Shalsi nuk tërhiqet nga ligji i mbetjeve, diskutohen edhe kuota për importin

Shqipëria

Shalsi nuk tërhiqet nga ligji i mbetjeve, diskutohen edhe kuota për importin

Më: 30 dhjetor 2016 Në ora: 14:30
Kryetari i Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi

Kryetari i Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi, sqaroi sot arsyet e shtyrjes së diskutimit në Kuvend të dekretit të Presidentit, që ktheu për rishqyrtim ligjin e mbetjeve.

Shalsi, një nga nismëtarët e ligjit në fjalë, tha se komisioni parlamentar është i hapur ndaj çdo propozimi konkret, qoftë nga shoqëria civile, nga deputetë apo dhe qytetarë, ndërsa pohoi se diskutimi i tij do te mbetet për sesionin e ardhshëm, në fund të janarit.

“Nuk ka ndonjë teori konspiracioni në shtyrjen e diskutimit të dekretit në parlament, pasi nuk ka një afat për shqyrtimin e tij. Por, ka një afat nga momenti i diskutimit të tij në komision dhe më pas në seancë. Pra, rregullorja e parlamentit nuk është shkelur në asnjë nen. Ajo nuk përcakton një afat nga sjellja e dekretit deri në shqyrtimin e tij në komision”, tha Shalsi.

Ai pohoi debatet lidhur me dekretin nga deputetët e PS-së, por dhe ata të LSI-së. “Nuk e kam mohuar asnjëherë, madje kemi shprehur vullnetin për ta përmirësuar ligjin nëse ka nevojë për përmirësim. Sot ka deputetë të PS-së dhe LSI-së që mendojnë se mund të reflektohet mbi ndonjë pikë të argumenteve të presidentit të Republikës dhe mund të merren në konsideratë, sidomos tani që Bashkimi Europian solli një përgjigje të qartë që ligji nuk bie ndesh me rregullat e BE-së”, u shpreh Shalsi.

Ai tha se ka dhe një grup deputetësh që kërkojnë diskutime të mëtejshme për vendosjen e kuotave mes mbetjeve vendase dhe atyre të sjella nga jashtë. “Jemi vullnet-plotë për çdo lloj sugjerimi që bën sens. Synimi ynë ka qënë gjithmonë që të mbështetet industria e riciklimit. Ndërsa ajo që asnjëherë ne nuk do donim të lejonim ishte atrofizimi i kësaj industrie apo largimi i saj jashtë Shqipërisë”, tha kryetari i komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, struktura përgjegjëse në Kuvend për ligjin e mbetjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat