Ngricat bllokojnë veriun e Shqipërisë, temperaturat shkojnë -17 gradë

Shqipëria

Ngricat bllokojnë veriun e Shqipërisë, temperaturat shkojnë -17 gradë

Më: 7 janar 2017 Në ora: 09:24
Ilustrim

Gjatë ditës së djeshme borë e madhe pushtoi thuajse gjithë territorin e vendit, ndërsa sot Shqipëria është “pushtuar” nga ngricat dhe temperatura që shkojnë në minus 17 gradë celcius në veri.

Më problematike situata paraqitet në disa zona si Pukë, Fushë-Arrëz e Dibër, ku temperaturat shkojnë deri në -17 gradë Celsius ka probleme me qarkullimin në Pukë.

Akset Fushë Arrëz- Kukës dhe Qafë Mali- Fierzë janë të bllokuara. Po kështu të gjithë fshatrat në Pukë dhe Fushë Arrëz janë të bllokuara, ndërsa mësohet se në disa fshatra është ndërprerë furnizimi me ujë e energji. Në Fushë Arrëz është e nevojshme ndërhyrja por Bashkia nuk ka mjete.

Ndërkaq në Bulqizë-Peshkopi temperaturat shkojnë deri në -16°C. Në qarkun e Dibrës disa njësi administrative janë të bllokuara si Lura, Kalaja e Dodës, Selishta. Aksi Milot-Peshkopi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Në Kukës, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në aksin Kukës-Krumë për shkak të akullit, lëvizja është e mundur vetëm me zinxhirë.

Po kështu edhe në Korçë, të gjitha akset të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në Qafë Thanë dhe Kapshticë, e kalueshme pa zinxhirë.

Në qarkun e  Shkodrës, segmentet rrugore Bogë-Qafë Thore,  Theth- Bregu i Lumit-Mali i Shoshi-Prekal vazhdojnë të jenë të bllokuar.

Në Malësië të Madhe vijojnë të jenë të bllokuara akset rrugore Tamarë-Vermosh, Tamarë-Selcë.

Ndërkohë në disa fshatra të Njësisë Administrative Dukagjin dhe në Puka nuk ka energji elektrike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat