Këngëtari i tallavasë: M’u lutën për të kënduar tek lokali i tyre tyre, por më dhunuan

Shqipëria

Këngëtari i tallavasë: M’u lutën për të kënduar tek lokali i tyre tyre, por më dhunuan

Më: 10 janar 2017 Në ora: 11:03
Ilustrim

Një këngëtar, instrumentist dasmash dhe lokalesh me muzikë turbofolk, është rrëmbyer dhe mbajtur peng për disa orë, në një lokal në kryeqytet nga dy persona. Njëri prej të dyshuarve është arrestuar tashmë nga komisariati i policisë numër 3 në Tiranë. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit bënë të ditur se në pranga është vënë shtetasi Adrian Uka, si dhe është shpallur në kërkim Elton Moriseni. Mësohet se Adrian Uka, 36 vjeç, banues në Rrugën e Durrësit në Tiranë, si dhe Elton Moriseni, 35 vjeç nga Elbasani, banues në Xhafzotaj të Durrësit, mbrëmjen e 6 janarit, kanë marrë në veturë me forcë 30-vjeçarin Agron Kazanxhi.

Fillimisht personat e sipërpërmendur i kanë thënë 30-vjeçarit se e donin për të luajtur muzikë dhe për të kënduar për ta në një lokal nate. Edhe pse pa dëshirë, Kazanxhi, ka pranuar të shkojë. Pasi ka luajtur disa orë muzikë, ai ka kërkuar të largohet prej aty dhe të paguhet për punën që bëri. Por si kundërpërgjigje këngëtari i tallavasë ka marrë grushte e shkelma nga të dy pengmarrësit, Moriseni dhe Uka. Pas disa orësh ata e kanë lënë të lirë 30-vjeçarin, por pa e paguar. Kazanxhi i denoncoi shtetasit e mësipërm pas ngjarjes së ndodhur në komisariatin nr. 3 në kryeqytet dhe policia arrestoi Adrian Ukën, i cili ka thënë se ishte konfliktuar me të pasi i kishte ngacmuar të dashurën. Por ky pretendim është hedhur poshtë nga 30-vjeçari.

Këngëtari 

Burime nga policia kanë bërë të ditur se 30-vjeçari Agron Kazanxhi prej kohësh luan muzikë tallava në lokale të ndryshme në qytetin e Durrësit, aty ku edhe ai banon. Më datë 6 janar të këtij viti, gjatë pasdites, atij i kanë dalë në rrugë katër persona të panjohur. Sipas të riut, këta persona që qëndronin brenda në një makinë, i kanë kërkuar që ai të shkonte me ta dhe të luante muzikë në një lokal në Tiranë.

Kazanxhi është shprehur para policisë se nuk ka pranuar të shkojë, pasi muzikë luante vetëm në qytetin e tij, por më pas nëpërmjet kërcënimeve ai ka pranuar të shkojë me rrëmbyesit e tij. “Ata këmbëngulën shumë që unë të shkoja. Kam pranuar të shkoj me ta dhe të këndoja në lokalin e natës, që ndodhet në zonën e Laprakës. Këndova për disa orë aty, si dhe i rashë disa instrumenteve muzikore dhe vendosa të largohesha. Teksa do të dilja, ata më kërkuan llogari pse do të ikja. Unë u thash që është e mjaftueshme kaq orë punë dhe u kërkova të më paguanin, pasi ashtu ramë dakord. Veç në një moment dy prej tyre filluan të më gjuanin me grushte dhe shkelma.

“Dashke dhe lek ti”, më thanë teksa më gjuanin”, është shprehur 30-vjeçari në polici. Këta të fundit, pas deklaratës së dhënë nga këngëtari i tallavasë, janë vënë në ndjekje të rrëmbyesve të dhunshëm. Fillimisht, policia mësohet të ketë shkuar në lokalin e natës ku ndodhi ngjarja, por aty nuk janë gjetur personat që dhunuan të riun. Më tej, oficerët iu janë drejtuar banesave të tyre, ku në pranga është mundur të vihet vetëm shtetasi Adrian Uka. Ndërsa shtetasi tjetër i identifikuar si Elton Moriseni, nuk është gjetur në banesën e tij.

Dëshmia e rrëmbyesit 

Adrian Uka, 36 vjeç, banues në rrugën e Durrësit në Tiranë, ka dalë para oficerëve të policisë në komisariatin numër 3, ku ka sqaruar ngjarjen sipas versionit të tij. Sipas 36-vjeçarit, personi që ai së bashku me shokun e tij kishin punësuar si këngëtar, shtetasi Agron Kazanxhi, kishte kryer veprime të pahijshme në lokal. Burimet nga policia thanë se Uka, pretendon që 30-vjeçari i kishte ngacmuar të dashurën para syve të tij. Por ky pretendim nuk është pranuar nga Kazanxhi, i cili është shprehur se dhunuesi i tij gënjen dhe se po nxjerr justifikime për të shpëtuar nga akuza. Pavarësisht kësaj deklarate policia vendosi të mbajë Ukën në qeli. Uka dhe Kazanxhi gjithashtu mësohet të kenë bërë edhe një ballafaqim në komisariatin e policisë, ku janë krijuar edhe situata jo të këndshme. Sakaq, policia e kryeqytetit bëri të ditur se vijojnë kërkimet për arrestimin e personit tjetër, që dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj 22-vjeçarit.

Policia

Lidhur me këtë ngjarje, policia e kryeqytetit ka publikuar edhe një njoftim për shtyp. Më datë 07.01.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi A. U., vjeç 35, banues në Tiranë, dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë e punohet për kapjen e shtetasit E. M., vjeç 34, banues në fshatin Xhafzotaj, Durrës, pasi dyshohet se më datë 06.01.2017, në Xhafzotaj, kanë kanosur, e marrë me forcë duke i hequr lirinë shtetasit A. K., 22 vjeç banues në Durrës”, thuhet në njoftimin e policisë. Sakaq, materialet hetimore iu janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë të marrë dheshmi dhe prova të reja për dokumentimin e kësaj ngjarjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat