Ngrin sipër shtyllës/ Si luftoi me vdekjen elektriçisti i OSHEE, baba i 5-fëmijëve

Shqipëria

Ngrin sipër shtyllës/ Si luftoi me vdekjen elektriçisti i OSHEE, baba i 5-fëmijëve

Më: 10 janar 2017 Në ora: 15:28
Ramadan Hallaçi, punonjësi i Operatorit të Sistemit të Transmetimit

Teksa Ramadani flet, vetiu më vijnë në mendje pasazhe nga filmi shqiptar “Rrugë të bardha” me Dedën që ngriu në shtyllë, veçse “Deda” nuk kishte telefon për të njoftuar asnjë “Zanë”.

Ramadan Hallaçi, 56 vjeç, punonjësi i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, baba i 5 fëmijëve rrezikoi seriozisht jetën disa ditë më parë, në përpjekje për të riparuar një defekt në njërën prej shtyllave Kalimash-Kukës të dëmtuar nga dëbora e ngricat.

Ramadani rrëfen se atë ditë në orën 8:30 mori njoftimin për një avari në Kalimash dhe së bashku me kolegët e tij ka bërë 4 orë rrugë, vajtje e kthim, mes dëborës që arrinte trashësinë 70 centimetra me qëllim për të riparuar defektin.

Dhe ia dolën... Por pikërisht atëhere kur mendoi se gjithçka për atë ditë kishte mbaruar, rreth orës 4 e 30 të pasdites njoftohet për një tjetër avari në Kalimash dhe niset sërish bashkë me punonjësin e OSHEE Fasli Sopaj që është njëkohësisht edhe vëllai i Ramadanit, për ta riparuar.

“Nuk kisha më fuqi, pas katër orësh rrugë, s’i ndjeja më gjymtyrët por duhet të shkoja. Banorët ishin pa energji elektrike dhe kjo është puna ime, t’i shërbej komunitetit. Këtë kam bërë tashmë prej 30 vitesh”, na thotë Ramadani me një entuziazëm mbresëlënës.

INTERVISTA E PLOTË:

Zoti Ramadan, ju disa ditë më parë rrezikuat seriozisht jetën hipur në shtyllë. Pas 7 orësh punë në kushte të vështira e temperaturë -9°C ju pësuat hipotermi. Si ndodhi e gjitha?

U njoftova që kishte një tjetër avari pasi kishim riparuar më herët një defekt për të cilin na u desh të ecnim në këmbë përreth katër orë, duke çarë trashësinë e dëborës që arrinte 70 centimetra.

Rreth orës 4:30 jam nisur bashkë me kolegun për ta riparuar, shkuam, kryem punë te njëra shtyllë por kur shkova te shtylla tjetër ndjeva se kisha mbaruar krejt.

Shtylla ka qenë komplet me akull, temperaturat dikut te - 10 gradë por s’di ta them me saktësi sa, se jena bërë njëlloj me kohën. Isha 30 metra lart në shtyllë, nuk e di... u bllokova i gjithi, krahët, këmbët, rrobat më ishin lagur e m’u ngjitën të gjitha në trup e më pas u bënë një me shtyllën.

Kush ju erdhi në ndihmë?

S’mbaj mend asgjë. Di vetëm që tentova të zbres disa metra më poshtë për të shpëtuar sepse e ndjeva që jeta ime ishte në rrezik...

Çfarë menduat në ato momente?

Po mendoja një mënyrë për të shpëtuar, si mos bija nga shtylla por edhe kjo nuk zgjati shumë sepse ndjeva që fuqitë më shteruan dhe mbeta i ngrirë aty. Vetëm kur jam përmendur më vonë . Kolegu tjetër më kishte ardhur në ndihmë, nuk e di si më zbriti. Kishte njoftuar edhe kolegët e tjerë që ishin munduar të na merrnin në telefon por telefoni ishte jashtë funksionit. Ishte komplet i lagur.

Me t’u përmendur më çuan në spitalin e Kukësit. Fati i im i madh që spitali qe afër, fati im i madh që kisha kolegun Fasli Sopaj,punonjës i OSHEE dhe vëllai im. Operator i TVSH në Kukës, Maliq Morina  me ta marrë vesh ka ardhur me ndihmën e shpejtë.

Si ju zbritën nga ajo lartësi? Ju ndërkohë ishit i siguruar me të gjitha mjetet e punës, apo jo?

Po mos kisha ato, s’do isha gjallë tani. Ata kanë hipur shtyllë, më kanë lidhur me litar, unë kam qenë me rrip sigurimi, më kanë zbritur në tokë, në tokë  e pastaj s’di gjë sdi gjë. E kam parë veten në spital. Pas dy orësh kam ardhur në vete.

Ju keni një jetë që punoni me OST. Gjatë gjithë këtyre viteve, a keni rrezikuar jetën si disa ditë më parë dhe a i keni thënë ndonjëherë vetes: “Mjaft, s’dua ta bëj më këtë punë!”

Dimra të vështirë ka patur por mund të them që ky është më i acarti gjatë gjithë viteve të mia të punës dhe kjo është hera kur unë e kam parë veten më në vështirësi se kurdoherë tjetër por nuk më ka shkuar kurrë ndërmend ta  lë këtë punë.

Edhe pas kësaj që ndodhi?

Edhe pas kësaj. Kjo është ajo që dua, t’i shërbej komunitetit, shtetit, e punës sime derisa të dal në pension. Falenderoj gjithë kolegët e gjithë mjekët që bënë të pamundurën për jetën time.

A ju kanë kontaktuar zyrtarë të qeverisë pas ngjarjes?

Po po, jam takuar me ministrin Damian Gjiknuri, drejtorët... dhe më kanë falenderuar për punën.

Po ndonjë shpërblim monetar, aq kohë sa ju rrezikuat jetën...

Atë e dinë vetë ata....

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat