Ndryshon ligji, ja 6 kushtet për t’u bërë avokat

Shqipëria

Ndryshon ligji, ja 6 kushtet për t’u bërë avokat

Më: 11 janar 2017 Në ora: 10:54
Ilustrim

Pavarësisht se shumë pak është bërë publike dhe është debatuar nga specialistët e fushës, Reforma në Drejtësi ka parashikuar ndryshime drastike edhe për ushtrimin e profesionit të avokatit. Janë po ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT të cilët në kuadër të kësaj reforme të gjerë historike kanë hartuar një ligj të ri për këtë profesion, nëpërmjet të cilit ndryshojnë kriteret e deritanishme për këtë titull.

Ky ligji tashmë ka shkuar në Kuvend dhe sipas parashikimeve në nenin 10, që një individ të ushtrojë profesionin e avokatit duhet të plotësojë 6 kritere.

 Së pari duhet që të ketë përfunduar studimet e larta pranë Fakultetit të Drejtësisë në një universitet publik ose privat, brenda ose jashtë vendit dhe të jetë pajisur me diplomën përkatëse të përfundimit të ciklit të dytë të studimeve, ose të konvaliduar me të sipas ligjit për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, për studentët e diplomuar në universitete jashtë vendit. Një tjetër kusht është që të ketë kryer stazhin e asistent avokatit pranë një avokati me të drejtë ushtrimi të profesionit në Republikën e Shqipërisë, për një periudhë jo më pak se një vit dhe të ketë marrë vlerësim pozitiv nga avokati për këtë qëllim.

Regjistrimi i asistent avokatit bëhet pranë Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, pasi të ketë marrë më parë miratimin me shkrim nga ana e Dhomës së Avokatisë vendore ku do të kryhet periudha e stazhit. Po ashtu duhet të ketë përfunduar me sukses programin e trajnimit fillestar pranë Shkollës së Avokatisë të Shqipërisë dhe të jetë pajisur me certifikatën përkatëse për këtë qëllim. Po ashtu, kusht është që i interesuari të mos ketë në ngarkim të tij vendim dënimi të formës së prerë për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore të kryera me dashje, si dhe të veprës penale të korrupsionit dhe për shkak të detyrës. Ndërsa dy kushtet e fundit janë që secili kandidat duhet të japë provimin kualifikues dhe të paguajë tarifën financiare. E drejta e fitimit të këtij titulli u takon edhe të huajve me kushtin se ata të njohin mirë gjuhën shqipe.

Në ligjin për avokatinë, i cili ka shkuar tashmë në Kuvend, do të ndryshojnë dhe procedurat për ngritjen e studiove ligjore. Sipas përcaktimeve në nenin 12 avokatët e ushtrojnë profesionin në mënyrë individuale ose në bashkëpunim, të organizuar në zyra ose studio avokatie.

 “Organizimi në studio avokatie kërkon, që pasi marrin më parë miratimin nga Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë, kanë të drejtë të regjistrohen si subjekte të së drejtës civile në organet përkatëse. Organizimi i tyre në studiot e avokatisë mund të jetë në formën e ortakërisë dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore për shoqëritë tregtare në Republikën e Shqipërisë. Pranë çdo zyre apo studio avokatie duhet të mbahet regjistri i veprimeve të avokatisë, i cili çelet në përputhje me formën dhe dokumentacionin standard të miratuar nga Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara në statutin e Dhomës”, thuhet në ligj.

 Më tej përcaktohet që avokati gjatë ushtrimit të profesionit nuk mund të ushtrojë njëkohësisht detyrën e gjyqtarit, prokurorit, noterit, përmbaruesit si dhe asnjë funksion apo detyrë tjetër në organet publike, me përjashtim të mësimdhënies në fakultetin e drejtësisë të universiteteve publike ose private, brenda ose jashtë shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat