Vendimi, si do të jepet tapia për pallatet dhe shtesat

Shqipëria

Vendimi, si do të jepet tapia për pallatet dhe shtesat

Më: 12 janar 2017 Në ora: 08:26
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni

Rreth 30 mijë familje, të cilët jetojnë në pallate do të pajisen me hipotekën e shtëpisë. Bëhet fjalë për atë kategori familjesh apo individësh, të cilët për faj të ndërtuesve apo pronarëve të pallateve, pasi kanë blerë apartament nuk kanë marrë leje legalizimi dhe as dokumentin më të rëndësishëm, hipotekën. Këshilli i Ministrave miratoi dje pikërisht vendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”, i cili në të gjithë vendin jep zgjidhje për 1320 pallate. Lajmin e dha së pari, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ndërsa “Shekulli” boton sot vendimin e plotë. “Në të gjithë vendin, numërohen rreth 1320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës.

Këto familje edhe pse e kanë blerë pronën në mirëbesim, nuk janë bërë pronarë, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve”, deklaroi Gjermeni, e cila sqaroi më tej se me këtë vendim, ”Nga njëra anë rregullohet e drejta e regjistrimit të banesave nga individët që i kane blerë, dhe nga ana tjetër synohet vjelja e të gjitha detyrimeve financiare nga ndërtuesit dhe investitorët”. Duhet theksuar se, për shkak të kompleksitetit që ka procesi i hipotekimit për këtë kategori ndërtesash, projektvendimi ka kaluar në shumë debate e diskutime duke mbërritur në formën përfundimtare. Për të janë bërë 13 ndryshime të neneve pas vërejtjeve të marra nga Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë. Relacioni Sipas shpjegimit që i bëhet vendimit, ai ka për qëllim të plotësojë kuadrin ligjor për legalizimin e objekteve me leje ndërtimi, me shtesa tej kësaj leje, ose ndryshime të funksionit të hapësirave, në raport me të. Gjithashtu, ky vendim rregullon edhe aspekte të veçanta që lidhen me objektet shumëkatëshe pa leje, të ndërtuara për qëllime shitblerje apo qiradhënie të njësive individuale, në mënyrë që të ketë një trajtim të drejtë, të unifikuar dhe qartë të tyre.

Ky rregullim lidhet me vetë problematikën e objekteve shumëkatëshe pa leje, të cilat edhe pse përdoren për kalimin e pronësisë apo qiradhënien, për to nuk paguhet penalitet dhe ndryshe nga objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet si për objektet e tjera pa leje. “Synimi i vendimit qëndron pikërisht në zgjidhjen e atyre problematikave që kanë bërë të pamundur mbylljen e procedurave të legalizimit për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, qofshin këto të natyrës thelbësore, apo proceduriale. Në mënyrë të veçantë, përmendim atë që lidhet me mosekzistencën e subjektit ndërtues/investitor, si pasojë e prishjes së shoqërisë tregtare, apo inaktivitetin dhe mosinteresimin e tij për procesin e legalizimit”, thuhet në relacion. E gjithë kjo problematikë, e cila që më herët është diskutuar, jo vetëm nga drejtuesit e ZRPP-së dhe ALUIZNI-t, por edhe të kryebashkiakëve, tashmë u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve që janë endur nëpër zyra për të fituar pronësinë.

Megjithatë, edhe në shpjegimin që i bëhet kaosit dhe mosmarrëveshjeve të krijuara, evidentohet se përgjegjësia nuk është aspak e qytetarëve por e ndërtuesve. “Kujtojmë se si pasojë e shkeljes së kushteve të lejes së ndërtimit nga ana e ndërtuesve/investitorëve, disponimi i njësive individuale, për shkak të mos regjistrimit në regjistrat e pasurive të paluajtshme, ka qenë i pamundur. Të gjithë individët apo subjektet e tjerë që kanë cilësinë e porositësit të apartamenteve apo njësive të shërbimit, janë privuar nga mundësia për të gë- zuar dhe shfrytëzuar të gjitha të drejtat civile mbi këto pasuri”, thuhet në dokument. Pra, duke numëruar gjithsej 1320 pallate me një numër familjesh që shkojnë nga 26 000 deri në 30 000, vendimi i mbështetur në nenin 43/1 të ligjit “Për legalizimin…” parashikon rregullat procedurale për përfundimin e procesit të legalizimit, në emër të poseduesve të njësive individuale, së bashku me normat e tjera që do të ndiqen për legalizimin e objekteve me shkelje të lejes së ndërtimit. Sa i përket financave, projekti nuk sjell efekte në drejtim të shpenzimeve, por do të ketë efekt në rritjen e të ardhurave, teksa familjet do të paguajnë sipas tarifave në fuqi, për lejen e legalizimeve dhe dokumentin të hipotekës.

Tarifat 

Sa i përket tarifave që duhet të paguajnë qytetarët që preken nga ky vendim, duhet theksuar se regjistrimi i për do të kryhet sipas lejes së legalizimit. Me rregullat e reja do të jenë ALUZINI dhe ZRPP që do të punojnë deri në dorëzimin e lejes së legalizimit, pas aplikimit nga kryefamiljarët, ndërsa këta të fundit, krahas pagesës së tarifës së regjistrimit për këto njësi, do të duhet të paguajnë solidarisht edhe tarifën e regjistrimit të objektit në tërësi. Për të mos krijuar përplasje institucionale, do të jenë bashkitë ato që ngarkohen me detyrimin “Të pajisin me certifikatë përdorimi objektet e ndërtuara në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, të cilët nuk mund të jenë objekt trajtimi në bazë të ligjit 9482 datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar”.

1. Procedurat e legalizimit të objektit me shkelje të lejes së ndërtimit kryhen në favor të poseduesve (si porositës, apo pronarë trualli, sipas kontratave të porosisë/sipërmarrjes, ose aktmarrëveshjes) në rastet e mëposhtme: a) Subjekti ndërtues/investitor është në kushtet e nenit 99 (ose 187) te ligjit nr. 9901 datë l4. 04. 2008 "Për shoqëritë tregtare" të ndryshuar; ose b) Subjekti ndërtues/investitor nuk dorëzon brenda 30 ditësh nga data e njoftimit, dokumentacionin e kërkuar zyrtarisht nga ALUIZNI sipas ligjit nr. 9482 datë 03.04.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje" i ndryshuar, ose nuk shlyen, brenda të njëjtit afat, detyrimet financiare sipas nenit 43 të të njëjtit ligj. Këtu përfshihet dhe rasti kur subjekti rezulton me veprimtari të pezulluar prej të paktën 1 viti, sipas informacionit të administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit; ose c) Subjekti ndërtues/ investitor nuk ka paraqitur aplikim për legalizim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2. Kur plotësohen kushtet e pikës 1 të këtij vendimi, drejtoritë e ALUIZNI-t vijojnë legalizimin në favor të poseduesve të apartamenteve, ose ambienteve me funksion social-ekonomik, në vijim të quajtura "njësi individuale", sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim.

3. Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t, pas kryerjes së procedurave të evidentimit në terren, hartojnë listat e ndërtimeve të ngritura nga subjektet që gjenden në kushtet e pikës 1 të këtij vendimi, si dhe listën e poseduesve të njësive individuale dhe i afishojnë ato në faqen zyrtare të ALUIZNI-t, në ambientet e drejtorive dhe të objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit, si dhe pranë njësive të qeverisjes vendore.

4. Legalizimi dhe regjistrimi për objektet që trajtohen sipas këtij kreu, në varësi të gjendjes ligjore, kryhet në dy faza: a) Miratimi i lejes së legalizimit për objektin kryesor (sipas projektit të miratuar nga organi kompetent) së bashku me shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga subjekti ndërtues dhe regjistrimi i tyre në ZVRPP në emër të ALUIZNIt. b) Miratimi i lejes se legalizimit për shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga vetë subjektet poseduese.

5. U nënshtrohen kritereve kualifikuese të parashikuara në VKM nr. 280, vetëm shtesat në tejkalim të lejes së ndërtimit. Nëse shtesa gjendet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, legalizohet dhe regjistrohet vetëm objekti kryesor.

6. Poseduesit e njësive individuale duhet të dorëzojnë brenda 30 ditëve nga data e afishimit publik sipas pikës 3 të këtij vendimi, dokumentacionin që provon marrëdhënien juridiko-civile me subjektin ndërtues/investitor. Miratimi i lejeve të legalizimit, për njësitë individuale në favor të poseduesve, kryhet pas zbatimit të procedurës së përcaktuar në germën a, të pikës 4 të këtij vendimi.

7. Nëse objekti me shkelje të lejes së ndërtimit, është ngritur në truall privat, pronarët e truallit përfitojnë pjesët përkatëse në objektin kryesor dhe në shtesat e realizuara nga subjekti ndërtues/investitor, në përputhje me germën c) të nenit 37, të ligjit nr. 9482 date 03 .04.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje" i ndryshuar.

8. Njësitë individuale, për të cilat nuk janë lidhur kontrata porosie/sipërmarrje, ose aktmarrëveshje, legalizohen në emër të subjektit ndërtues/investitor, me përjashtim të atyre që i takojnë pronarit të truallit

9. Në rastet e ekzekutimit të detyrueshëm mbi objektin, apo mbi njësitë individuale, zbatohen përcaktimet e pikave 8/3 deri në të VKM nr. 280, "Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje", i ndryshuar. Në çdo rast, ekzekutimi i detyrueshëm që lidhet me pasuritë e subjektit ndërtues/ investitor, nuk mund të shtrihet mbi njësitë individuale të poseduesve, ose mbi shtesat e realizuara dhe të deklaruara prej tyre.

10. Kur për të njëjtën njësi individuale ka pretendime pronësie nga dy apo më shumë persona, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata. Procedurat e legalizimit pezullohen, vetëm për njësinë individuale që është objekt i mosmarrëveshjes, me paraqitjen e vërtetimit gjyqësor nga pala e interesuar, apo me vendim gjyqësor për vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Këto procedura rinisin në përputhje me dispozitivin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, të dorë- zuar nga subjekti i interesuar.

11. Procedurat e legalizimit sipas këtij kreu nuk pengohen nga detyrimet kontraktore që mund të ekzistojnë ndërmjet poseduesve dhe subjektit ndërtues/ investitor, lidhur me njësite individuale, dhe as nuk i shuajnë këto detyrime.

12. Regjistrimi i njësive individuale dhe i pjesës takuese të bashkëpronësisë do të kryhet sipas lejes së legalizimit. Për këtë qëllim, zbatohen procedurat e parashikuara në VKM nr.1095, date 28.12.2015 "Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-I dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara". Poseduesit e njësive individuale krahas pagesës së tarifës së regjistrimit për këto njësi, paguajnë solidarisht edhe tarifën e regjistrimit të objektit në tërësi sipas pikës 4, shkonja a) e këtij vendimi.

13. Akti për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit në tërësi, sipas nenit 37, të ligjit nr.9482, date 3.4.2006, do të depozitohet nga poseduesit e njësive individuale.

14. Për pagesën e tarifës së shërbimit nga poseduesit, do të zbatohen pikat 2 deri ne 4/1 të VKM nr.860, date 10.12.2014. 15. Penalitetet sipas nenit 43 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje" i ndryshuar dhe detyrimet tatimore, të parashikuara nga nenet 11 dhe 20 të ligjit nr. 8438, datë 21.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat" i ndryshuar, mbarten nga subjekti ndërtues/investitor dhe nuk pengojnë legalizimin në favor të poseduesve, sipas këtij kreu. Penalitetet llogariten nga drejtoria e ALUIZNI-t dhe i njoftohen Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve.

Nëse subjekti është duke iu nënshtruar procedurave të falimentit, ato i njoftohen edhe personit të ngarkuar me likuidimin e shoqërisë tregtare dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit. Detyrimet tatimore, mbarten nga subjekti ndërtues, edhe pse kalimi i të drejtës së pronësisë mbi njësitë individuale kryhet nga ALUIZNI nëpërmjet lejes së legalizimit. Sipas kësaj pike, ALUIZNI përcjell pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, informacionin dhe dokumentacionit e nevojshëm, për vlerësimin e detyrimeve tatimore. 16.Përjashtimisht, për rastet e parashikuara në gërmën "a", pika 1, të këtij vendimi, detyrimet për pagesën e penalitetit do tatimit konsiderohen të shuar, si pasojë e mosekzistencës së subjektit investitor/ndërtues, në përputhje me nenet 99 dhe 187 të ligjit nr. 9901/ 2008, i ndryshuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat