Reforma në arsim, Rama: Do të vazhdojmë me edukimin e drejtorëve

Shqipëria

Reforma në arsim, Rama: Do të vazhdojmë me edukimin e drejtorëve

Më: 13 janar 2017 Në ora: 13:14
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se Reforma në arsim do të vazhdojë të thellohet dhe tani e kanë radhën drejtorët e shkollave.

“Ka nisur puna për edukimin e drejtorëve të shkollave. Nuk jemi në fund, por në fillim të një procesi që do të kërkojë vite, - tha Rama për reformën. -  Është shumë e vështirë, është me shumë dhimbje, patjetër që ka edhe “viktimat” e veta, por është e vetmja rrugë."

Rama ishte sot në Ministrinë e Arsimit bashkë me ministren Lindita Nikolla për të përgëzuar nxënësit nga gjithë vendi që morën pjesë dhe dolën me rezultate të mira në testimin PISA 2015.

Kreu i qeversë tha se ky rezultat mbresëlënës që patën nxënësit shqiptarë “na nxit të vazhdojmë me reformat në arsim”:

"As në ëndrrën më të bukur ne nuk kishim parë që 56 djem e vajza nga Shqipëria do të arrinin maksimumin duke konkuruar me djem e vajza nga gjithë planeti dhe disa shembuj do të kapërcenin nivelin maksimal me performancën e tyre. Dua t’ju shpreh respektin tim më të madh juve dhe atyre që janë si ju që na frymëzojnë, na bëjnë të mos jemi vetëm në përpjekjen për të provuar se në Shqipëri mund të bëhet sukses dhe që Shqipëria mund të përbëjë sukses."

Rama po ashtu foli edhe për protestat e studentëve që u mbështetën nga opozita, qoftë për mbylljen e universiteteve, qoftë për sistemin e regjistrimit në universitete: "Ata që frymëzonin zallamahinë për universitetet, nuk mendonin për më të mirët, por për stresin e ngelësve, - tha Rama, - në vend që t'u thonin atyre se jeta nuk mbaron këtu, por se për ju këtu ka shkolla profesionale, se evndi ka nevojë për zanatçinj, për profesionistë."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat