Nis ndërtimi i banesave të reja për 50 familje rome në Shkozë

Shqipëria

Nis ndërtimi i banesave të reja për 50 familje rome në Shkozë

Më: 13 janar 2017 Në ora: 13:49
Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e banesave të reja për 50 familje rome në Shkozë

Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e banesave të reja për 50 familje rome në Shkozë. Ky është zbatimi i një projekti të financuar nga “IADSA”, që synon ndërtimin e banesave të reja me qëllim krijimin e kushteve më të mira.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj, tha se kjo është përgjigja më e mirë ndaj atyre që në vend të ndihmojnë për zgjidhjen e problemeve, merren me fjalë.

“Më vjen mirë që kemi marrë këtë financim të qenësishëm nga Ministri i Financave dhe Ambasada e Italisë për të ndërtuar banesa për disa qindra qytetarë. Besoj që jo vetëm ky është një lajm i mirë për komunitetin, por unë besoj se është edhe një përgjigje finale për mënyrën se si bëhen gjërat në Shqipëri. Përfundimisht jemi ndarë në dy kategori; njerëz që vënë gishtin, shajnë dhe mallkojnë gjithçka dhe njerëz që në çdo problem thonë, si mund ta zgjidh. Unë besoj që hyjmë tek kategoria e dytë, që shohim një problem dhe mendojmë për zgjidhjen e jo të shajmë apo të gjejmë fajtorin që siç e dini fare mirë, këtu ka qenë një situatë e trashëguar prej vitesh”, tha Veliaj. 

Kreu i Bashkisë u shpreh se shumë prej qytetarëve që janë strehuar në qendrën sociale të Shkozës, në pak muaj do të kenë banesa me të gjithë kushtet dinjitoze të jetesës, të higjienës dhe hapësirës së nevojshme, sidomos për familjet me shumë anëtarë të komunitetit rom.

“Për herë të parë po fusim një koncept të ri, ku vërtet nuk do të ketë pagesë për të strehuar këta banorë, por gjithsesi disa kushte do të jenë: Një ndër kushtet do të jetë që çdo fëmijë duhet të shkojë patjetër në shkollë dhe kushti për të qëndruar në këto banesa të reja do të jetë arsimi i detyrueshëm. Kushti tjetër do të jetë, për ata që janë 16-30 vjeç, do të duhet me detyrim të futen në një kurs të arsimit profesional. Ne besojmë se pavarësisht se kjo është një ndihmë shumë e nevojshme për strehim, bileta afatgjatë për të dalë nga varfëria është arsimi, emancipimi, trajnimi profesional”, u shpreh kryebashkiaku. Kryetari i Bashkisë deklaroi se falë menaxhimit të mirë të situatës në Tiranë si pasojë e motit të acartë, Tirana nuk pati asnjë humbje në njerëz. Kryetari Veliaj tha se pas kalimit të krizës nga moti, do të fillojë pa humbur kohë dhe zgjidhja afatgjatë për komunitetin rom dhe personave të tjerë në nevojë të Tiranës. “Unë besoj se mund ta bëjmë diferencën, vetëm kur problemet i zgjidhim dhe jo vetëm kur vëmë gishtin dhe kërkojmë fajtorin” , tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat