Debatet për votimin elektronik, dështon konsensusi për reformën

Shqipëria

Debatet për votimin elektronik, dështon konsensusi për reformën

Më: 13 janar 2017 Në ora: 17:28
Pamje nga mbledhja

Megjithë dakortësinë në parim të palëve për aplikimin e votimit elektronik në zgjedhjet e 18 qershorit, opozita e djathtë braktisi të premten punimet e komisionit të reformës zgjedhore pasi nuk gjeti konsensus në kërkesën e saj për një ekspertizë me profesionistë IT-je, për këtë mënyrë votimi.

Pas një mbledhje që zgjati mbi tre orë dhe ku u paraqit një dokument me 36 çështje të propozuara nga partitë për ndryshimin e ligjit zgjedhor, PS dhe PD u përplasën ashpër nëse për aplikimin ose jo të votimit elektronik duhet të merrej mendimi i ekspertëve të OSBE/ODIHR-t (i kërkuar nga PS dhe LSI) apo i ekspertëve të IT-së(i kërkuar nga opozita). Mosdakortësia në këtë pikë solli dhe largimin e anëtarëve të opozitës nga mbledhja, ku pritej të merrje një vendim për çështjet se ku duhej ndryshuar ligji zgjedhor.
Me hedhjen në votim të propozimit të PD-së nga bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi, “pro” tij votuan vetëm deputetët e djathtë, ndërsa Balla votoi kundër.

Bylykbashi: PS “vrau reformën”

Pas largimit, në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, Bylykbashi akuzoi Partinë Socialiste se “vrau reformën”.
“Pa këtë reformë zgjedhjet nuk mund të jenë të lira. PD mbështet dekriminalizimin dhe financimin e partive politike, por të gjitha mbeten një farsë në kodin zgjedhor dhe kanë një impakt zero në votën e shqiptarëve. Me votimin elektronik, komisionerët partiakë nuk kanë më në dorë procesin”, u shpreh Bylykbashi.

Balla:PD po kërkon të shmangë OSBE/ODIHR-n.

Ndërsa në deklaratën e tij bashkëkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla akuzoi Partinë Demokratike se po kërkon të shmangë OSBE/ODIHR-n.

“I kërkova të ulemi të zbardhim një vendim ku përfshinte të gjithë kërkesat propozimet e kolegëve të djathtë por dhe të mija, propozimin e Idrizit, Vasilit dhe Manjës që iu bashkangjitën propozimeve të ardhura nga Islami e Manja. Si mund ta kalojmë projektin e votimit elektronik në kombëtar kur dy projektet pilot dështuan në 2013. PD u largua nga mbledhja e prisnim të iknin më shpejt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat