Pensionet, ja sa do të rriten sipas kategorive, llogaritja

Shqipëria

Pensionet, ja sa do të rriten sipas kategorive, llogaritja

Më: 14 janar 2017 Në ora: 08:01
Ilustrim

Tashmë është zyrtare që pensionet për 650 mijë pensionistë në të githë vendin do të jenë më të larta nga 1 marsi. Ministria e Financave është në fazën e fundit të llogaritjeve dhe hartimit të plotë të projektvendimit, i cili do të marrë edhe miratimin në Këshillin e Ministrave. Nga rritja, me vendim nuk do të përjashtohet asnjë pensionist, ndërsa të ndarë në kategori, skema parashikon me rritje pensionet e pleqërisë, pensionet familjare dhe pensionet e invaliditetit të qytetit. Rritja e pensioneve me 3 për qind do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 2.9 miliardë lekë, ndërsa në listën e përfituesve do të përfshihen edhe pensionet apo përfitimet e tjera që jepen nga sigurimet shoqërore, si pensionet e parakohshme e suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të pilotëve fluturues, të detarëve, të punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake dhe të ish-punonjësve të nëntokës. Në total nga ky vendim do përfitojnë afro 650 mijë pensionistë dhe përfitues të pensioneve familjare. Konkretisht, nga rritja do të përfitojnë rreth 300 mijë pensione pleqërie urbane, 57 mijë pensione invaliditeti urbane dhe rreth 48 mijë pensione familjare urbane. Në fshat përfitojnë rreth 137 mijë pensionistë pleqërie, si dhe rreth 30.205 persona nga programe speciale, si ushtarakë, minatorë, pilotë etj.

Plani 3-vjeçar 

Në programin buxhetor afatmesëm, të miratuar nga qeveria, fondi për pensionet deri në vitin 2019 parashikohet në masën 52 milionë dollarë, dhe sipas këtij projeksioni edhe për 2 vitet në vijim ka plan për rritjen e mëtejshme të tyre. Duke iu referuar tabelave të programit buxhetor afatmesëm për 2018, qeveria ka planifikuar të shpenzojë 1.335 milionë lekë për rritjen e pensioneve. Rritje të pensioneve do të ketë edhe për 2019. Në krahasim me 2018, fondi për rritjen e pensioneve shtohet në vlerë modeste. Në 2019, qeveria ka në plan të shpenzojë 1.300 milionë lekë për rritjen e pensioneve.

Pensionist për herë të parë

Gjatë vitit 2017, gratë do të dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 6 muaj, ndryshe nga viti i kaluar që dilnin 60 vjeçe e 4 muaj. Por, jo vetëm mosha, grave u shtohen edhe vitet e nevojshme të punës për të përfituar pension të plotë me 4 muaj. Burrat dhe gratë, këtë vit duhet të kenë 36 vite e 2 muaj punë për të përfituar pension të plotë. Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social që është 6.860 lekë shumë- zim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Në këtë pjesë të formulës kemi ndikimin në uljen e masës së pensionit, duke qenë se pjesëtimi do të bëhet me një numër më të madh. Për shembull, nëse kemi një person me 40 vite punë, për të përllogaritur pensionin bazë duhet të bëjmë këtë veprim: 6.860 x 40 / 36 e 2 muaj = 7.580 lekë. Ndërkohë që përgjatë vitit 2016, baza e pensionit me këto të dhëna do të ishte 7.665 lekë, pra rreth 85 lekë më e lartë. Ndërkaq, pensioni përbëhet edhe nga një shtesë që është 1% shumëzim vitet e sigurimit shumëzim pagën mesatare. Paga mesatare përllogaritet në bazë të pagave bruto të deklaruara ndër vite, të cilat indeksohen me koeficientet përkatës, për t’i aktualizuar me tregun. Kjo bëhet duke i mbledhur pagat e deklaruara bruto (pas indeksimit) për çdo muaj dhe duke i pjesëtuar me numrin e muajve, për të cilën janë derdhur këto paga. Pasi të kemi nxjerrë dhe vlerën e pagës mesatare, atëherë do të mund të përllogarisim dhe shtesën. Ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhet të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2017 duhet të ketë 36 vjet e 2 muaj.

Të dhëna

Rritja është caktuar në masën 3 për qind për të gjitha kategoritë

2.9 miliardë lekë do t’i kushtojë shtetit në buxhetin e akorduar për moshën e tretë

300 mijë pensione pleqërie urbane,

57 mijë pensione invaliditeti urbane dhe rreth 48 mijë pensione familjare urbane.

Në fshat përfitojnë rreth 137 mijë pensionistë pleqërie, Përfitues do jenë edhe 30 205 persona nga programe speciale, si ushtarakë, minatorë, pilotë etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat