PD: Skandal, të hetohet pasuria e Alfred Pezës

Shqipëria

PD: Skandal, të hetohet pasuria e Alfred Pezës

Më: 15 janar 2017 Në ora: 14:08
Ina Zhupa

Partia Demokratike ka kërkuar nisjen e një hetimi pasuror për deputetin e PS Alfred Peza lidhur me llogarinë e tij bankare që kap shifrën 1 miliardë e 100 milionë lekë.

Përmes një deklarate për media zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa tha se ky skandal tregon pellgun e madh të korrupsionit të kësaj maxhorance.

Deklrata:

Në të vërtetë, skandali i pasurisë 1 miliardë e 100 milionë lekë të deputetit Alfred Pezës, tregon pellgun e madh të korrupsionit të kësaj maxhorance.

Miliardat e Pezës janë vetëm pjesa e dukshme e miliardave që kanë përfituar deputetë, ministra e njerëz të afërt me Edi Ramës qysh ditën e parë që erdhën në pushtet.

Kur Alfred Peza ka arritur në pak vite të shumëfishojë pasurinë e tij, përfytyroni sa miliarda ka bërë Ilir Beqaj, Damian Gjinknuri, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Erjon Veliaj, e më tej, Edi Rama vetë.

Peza nuk ka firmosur vetë tendera e koncesione dhe ka bërë 1 miliardë e 100 milionë.

Po Beqaj e koncesioneve, po Tahiri i mijëra parcelave me drogë, po Ahmetaj i çarterave, tatimeve e doganave, po Gjiknuri i energjisë e aferës CEZ, po Veliaj i pallateve e industrisë së mbetjeve.

Po Edi Rama, tek i cili dorëzohet haraçi më i madh?

Miliardi i Pezës meriton hetim të shpejtë e serioz, po përveç kësaj është dëshmia më e pastër se sa dhjetëra miliardë kanë vjedhur Edi Rama e të tijtë në këto 3 vite e gjysmë.

Ndërkohë që ata bëjnë miliardat, populli zhytet në varfërinë më të skajshme dhe njerëzit braktisin vendin çdo ditë.

Këta hajdutë duhen ndalur. Shqiptarët meritojnë një qeveri për shqiptarët, një qeveri për njerëzit, që ta kontrollojnë e ta kenë në dorën e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat