25-vjetori FRESSH, Rama: Vota përcakton fatin e çdo individi, fitore e thellë në 18 qershor

Shqipëria

25-vjetori FRESSH, Rama: Vota përcakton fatin e çdo individi, fitore e thellë në 18 qershor

Më: 15 janar 2017 Në ora: 15:14
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë aktivitetit të 25-vjetorit të FRESSH-it, u shpreh se kjo organizatë rinore është pjesë e një transformimi të thellë dhe përmes kësaj force fitorja në 18 qershor do të jetë më e madhe se katër vite më parë.

“Ju nuk keni ardhur këtu të jeni figurantë dhe as të shikoni Tiranën, por si pjesë e një organizate mjaft të rëndësishme, prandaj keni një test të vështirë. FRESSH është në një transformim shumë të rëndësishëm, dhe nëse fitoni testin, pra të qëndroni këtu deri në fund të aktivitetit, dhe jo të mbetet në sallë vetëm gjysma e atyre që ishin në fillim (në rastin më të mirë), atëherë në 18 qershor do të fitojmë zgjedhjet shumë herë më me shumë vota se para katër viteve, pasi së bashku mund të shkojmë larg”, tha Rama.

“Shumë prej nesh shohin çdo ditë akuza të pavërteta, shohin përbaltje dhe shohin sfida të reja përballë nesh, por kjo është normale, pasi reformat prekin shumë interesa, por me Partinë Socialiste, arsimi është rritur dhe Pisa e vërteton këtë. Shumë thonë që vota nuk ndryshon asgjë, por gabojnë se ndryshon. Me Partinë Socialiste po bëhen të mundura gjëra që përpara nuk dukeshin të mundura. U bë reforma në arsim, për të cilën thuhej nuk bëhet, u shpërndan hipotekat për mijëra familje dhe këtë e bëri vota për Partinë Socialiste. Pasi nëse vota nuk do ishte për Partinë Socialiste nuk do ishin bërë mijëra legalizime, por vetëm 1 mijë apo 2 mijë, teksa do vijonte informaliteti. Vota pra, bëri që Shqipëria sot të pësojë rritje rrogash pa rritur borxhin dhe po njëlloj të kemi dhe rritje ekonomike, çka do të thotë nëse vota do të ishte për ata që rrënuan vendin për tetë vite, do të ishte shumë më i lartë borxhi, teksa 97% do të vuante lakun e taksës së sheshtë. Pra, nuk janë të gjithë njësoj, si nuk paska rëndësi nëse shkon apo jo në votime. Politika është një fuqi që mund të bëjë shumë mirë dhe për këtë duhet të votohet PS”, tha Rama.

[FRESH-(4)] Kryeminitri Edi Rama në fjalën e tij gjatë 25-vjetorit e të Forumit Rinor Eurosocialist nuk la pa sulmuar kryetarin aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Sipas Ramës, Basha vetëm fjeti në Bashki dhe nëse do të ishte sot në krye të Bashkisë do vijonte të flinte.

Në këtë, prizëm, Rama u tha të rinjve se edhe në këtë rast, vota është shumë e rëndësishme, pasi dy modelet janë të qarta, një model që sipas Ramës, fle dhe një tjetër që punon. “Si mendoni do të ishte më mirë të kishim një kryetar Bashkie që fle gjithë ditën, apo një Kryetar Bashkie që nis punën dhe takimet që në 6 e 30 të mëngjesit, pra nuk janë të gjithë njësoj, njëri punon tjetri jo, njëri ka vizion tjetri jo”, tha Rama.

Ai tha se në këtë drejtim vota luan një rol shumë të rëndësishëm, pasi ajo përcakton fatin e çdo individi. “Vota nuk do të thotë asgjë, vota do të thotë të kesh më pak taksa, të kesh më shumë liri, të kesh arsim më profesional, të kesh më pak borxhe”, tha Rama. Sipas tij, “shumë të rinjve ju mohua qyteti dhe e drejta për të lëvizuar në qytet e për të gjetur hapësirat tuaja, ndërsa ne po ju kthejmë qytetin”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat