Drejtësia, sot afati i fundit për kandidatët e KLP dhe KLGJ

Shqipëria

Drejtësia, sot afati i fundit për kandidatët e KLP dhe KLGJ

Më: 16 janar 2017 Në ora: 08:34
Ilustrim

Ditën e sotme, më 16 janar 2017, mbyllet afati për dorëzimin e kandidaturave të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të bëjnë pjesë në dy institucionet vendimmarrëse për emërimet në sistemin e ri të drejtësisë.

Emra të shumtë janë përfolur jozyrtarisht javët e fundit, si nga radhët e gjyqtarëve, ashtu edhe të prokurorëve, por zyrtarisht, kandidaturat pritet të bëhen me dije ditën e sotme. Sipas kornizës së re ligjore për sistemin e drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kandidojnë për gjashtë vende në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe gjashtë në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Këto organizma të reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi do të zëvendësojnë KLD-në dhe Këshillin e Prokurorisë dhe do të kenë nga 11 anëtarë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që do të bëjë emërimet, shkarkimet dhe promovimet në radhët e Prokurorisë, do të ketë në përbërje 6 prokurorë dhe pesë anëtarë të tjerë, përkatësisht: dy nga Avokatia, dy nga pedagogët e Drejtësisë dhe Magjistraturës, dhe një nga shoqëria civile.

E njëjta gjë do të jetë edhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili do të ketë 6 anëtarë nga radhët e gjyqtarëve dhe pesë anëtarë, dy nga Avokatia, dy nga pedagogët e Juridikut dhe Magjistraturës dhe një nga shoqëria civile.

VETINGU, KANDIDATËT PEZULL

Gjashtë kandidatët e KLPsë nga radhët e prokurorëve, ashtu sikundër gjashtë anëtarët e KLGJ-së nga radhët e gjyqtarëve, do t’i nënshtrohen vetingut para se të marrin detyrën. Pikërisht kjo fazë pritet t’i mbajë pezull kandidaturat që formalizohen ditën e sotme, pasi Gjykata Kushtetuese ende nuk ka zbardhur vendimin në lidhje me ligjin e vetingut.

Është ky ligj që do të përcaktojë përbërjen e komisioneve që do të realizojnë vetingun për gjashtë prokurorët kandidatë për në KLP dhe gjashtë gjyqtarët kandidatë për në KLGJ. Kandidatët për në KLP duhet që të dorëzojnë aplikimet e tyre në Kuvend dhe në Prokurorinë e Përgjithshme.

Aty ngrihet një komision për kriteret e kandidatëve. Ata kandidatë që përmbushin kriteret, kalojnë në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, ku emrat e kandidatëve hidhen në votim.

Nga gjashtë kandidatët, zgjidhen 3 prokurorë nga Shkalla e Parë, dy nga Apeli dhe një nga Prokuroria e Përgjithshme. E njëjta gjë ndodh edhe me gjyqtarët në Mbledhjen e Gjyqtarëve të Republikës, ku tre zgjidhen nga Fakti, dy nga Apeli, dhe një nga Gjykata e Lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat