Vrojtimi BSH-së/ Biznesi dhe konsumatorët rrisin besimin në ecurinë e ekonomisë

Shqipëria

Vrojtimi BSH-së/ Biznesi dhe konsumatorët rrisin besimin në ecurinë e ekonomisë

Më: 16 janar 2017 Në ora: 11:11
Foto arkivBSH

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) vazhdoi të ndjekë trajektoren rritëse edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016, bën të ditur raporti i vrojtimit, publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë.

Niveli i TNE-së qëndron në vlerën 118.6, duke rezultuar 9.4 pikë më lart nivelit të shënuar në tremujorin e tretë dhe rreth 18.6 pikë mbi mesataren afatgjatë.Forcimi i ecurisë rritëse të TNE-së reflektoi përmirësimin e besimit në sektorët e shërbimeve e të ndërtimit, si dhe përmirësimin e besimit të konsumatorit. Ndërkohë, treguesit e besimit në sektorët e industrisë dhe të tregtisë shënuan rënie të lehtë krahasuar me tremujorin e tretë.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) shënoi rënie me 3.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Bizneset e sektorit të industrisë kanë shfrytëzuar kapacitetet mesatarisht në masën 73.4%, ose 3.6 pikë përqindje më poshtë se sa në tremujorin e mëparshëm, por duke mbetur mbi mesataren historike 72.4%.

Ndërkohë, balanca e gjendjes financiare së bizneseve rezulton në përmirësim.

Balanca të tjera si ato për punësimin dhe gjendjen financiare vazhduan të shënojnë rritje, ndërsa balanca e pritjeve për punësimin gjatë tremujorit të ardhshëm rezultoi me rënie. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit vlerësohet mesatarisht rreth 65.6%, ose 3.7 pikë përqindje më e ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, kjo normë qëndron 5.6 pikë përqindje mbi nivelin e një viti më parë dhe 1.0 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Gjithashtu, bizneset e sektorit të shërbimeve vlerësojnë me rritje balancat e lidhura me gjendjen financiare dhe punësimin. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e kërkesës dhe të punësimit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie gjatë tremujorit të katërt. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vlerësohet në mesatarisht 80.6% – 2.0 pikë përqindje më e lartë se norma e shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 4.1 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Për sa i takon balancës së punësimit, ajo rezulton e përmirësuar gjatë tremujorit të katërt, ndërsa balancat e tjera të lidhura me gjendjen financiare dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndron në 74.6% në terma mesatarë, në të njëjtin nivel të shënuar në tremujorin e tretë, duke vijuar të jetë 3.6 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.

Rritet dhe besimi konsumator

Treguesi i besimit konsumator (TBK) shënoi përmirësim të dinamikës gjatë tremujorit të katërt, duke urritur me 4.8 pikë përqindje. Si rezultat, niveli i TBK-së qëndron 3.0 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Të katër komponentët formues të treguesit kontribuuan në kahun rritës për vlerën e TBK-së gjatë tremujorit të katërt: balanca e blerjeve të mëdha (+7.4 pikë përqindje); balanca e situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend (+5.5 pikë përqindje); balanca e situatës financiare të pritur të familjes (+4.5 pikë përqindje); balanca e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve (+1.7 pikë përqindje).

Edhe balancat e tjera – blerjet e mëdha në të ardhmen, situata aktuale dhe e pritur e kursimeve – rezultuan me rritje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat