110 ton ndihma në zonat e prekura nga vështirësitë e motit

Shqipëria

110 ton ndihma në zonat e prekura nga vështirësitë e motit

Më: 16 janar 2017 Në ora: 15:36
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në Tamarë, aty ku është vendosur qendra e shpërndarjes së ndihmave të Emergjencave Civile në Veri të vendit po vijon shpërndarja drejt zonave të thella të Malësisë së Kelmendit ku qarkullimi ka pasur vështirësi.

Për të ndjekur nga afër këtë proces ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deputeti i zonës Paulin Sterkaj, kryebashkiaku Tonin Marinaj dhe prefekti i Shkodrës Paulin Radovani.
Vështirësia e këtij dimri ka qenë e madhe, nënvizoi Kryeministri, por mirëkoordinimi i strukturave të shtetit bëri që shpërndarja e ndihmave të bëhet në kohë reale.

Janë mbi 110 ton ndihma që janë shpërndarë në kohë reale, aty ku ka qenë nevoja. Edhe në zonën e Vermoshit që ka qenë nga zonat me vështirësi më të madhe, por dhe në zona të tjera, ndihmat kanë shkuar edhe me helikopterë dhe me mjete të tjera, u shpreh kryeministri.

Dimri, sipas rrëfimit të banorëve, ka qenë gjithnjë i vështirë në këtë zonë, por rruga e re e ka mbajtur hapur komunikimin me zonën, për herë të parë në këtë periudhë të vitit. Banorët falenderuan kryeministrin për vëmendjen e treguar ndaj kësaj zones së thellë të Kelmendit dhe Malësisë së Madhe. “Jam shumë mirënjohës për çdo gjë që keni bërë dhe po bëni, që në 23 vjet nuk kanë punuar asgjësend në zonën e Kelmendit. Vetëm këto 3 vjet që keni ardhur ju ka ndryshuar komplet zona,” u shpreh një tjetër banor.
Kryeministri Rama tha se rruga gjatë gjithë kohës ka qenë e hapur dhe është punuar ditë-natë që të mos bllokohet, siç është bllokuar historikisht. “Jemi shumë të vetëdijshëm që ka akoma shumë për të bërë, ka akoma vështirësi jo të vogla, por ajo që është kryesore është se do vazhdojmë hap pas hapi, të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë  gjatë gjithë kësaj periudhe, theksoi Rama.

Ndërsa investimet që ka nisur OSHEE në rrjetin e energjisë elektrike bënë që këtë vit të shënohen ndërprerje të pakta të saj, përfshirë edhe këtë zonë, një nga problematikat më të mprehta gjatë kësaj periudhe në vitet e shkuara.

“Pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga moti, ka qenë viti me më pak ndërprerje të energjisë në 25 vjet, si pasojë e punës së jashtëzakonshme që ka bërë OSHEE, sidomos  në zonat më të vështira. Nga ana tjetër, ne do vazhdojmë të bëjmë investimi në rrjetin e shpërndarjes, të cilat kanë filluar, por sigurisht që duan kohën e vet të shtrihen në të gjithë territorin. Jam i vetëdijshëm që edhe këtu ka nevojë për të bërë investime për rrjetin e energjisë, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje sapo ka një problem me borën apo me erën, u shpreh kreu I qeverisë, duke theksuar se edhe në këtë zonë kanë nisur investimet në rrjetin elektrik.
“Po bëjmë investimin e linjës së re tani dhe do zgjidhet përfundimisht problemi se janë linja të amortizuara. Që nga koha e elektrifikimit, nuk ka vënë dorë njeri.”

Kryeministri ishte në dy prej familjeve në nevojë sociale, ku sapo kishin mbërritur ndihmat, ushqime dhe pajisje elektro-shtëpiake. “Ky dimër i egër, sot rruga e hapur është, nuk është parë kund. Kelmendit i ke dhënë ndihmë, i dhe rrugë, i dhe zbukurim, i dhe dritë. Nuk di të të them, po shkurtimisht, erdhe ti në Kelmend, se nuk e ka shkelur kush kurrë,” – thotë kryefamiljari.

Në këtë zonë, përveç ndërhyrjeve në linjën elektrike janë në proces edhe investime të tjera të rëndësishme. Një ndër to është edhe shkolla e re, për të cilën Kryeministri garantoi se do të nisë menjëherë ndërtimi sapo bashkia të përfundojë projektin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat