Vështirësitë nga dëbora, zinxhirë në disa akse. Disa zona, pa energji

Shqipëria

Vështirësitë nga dëbora, zinxhirë në disa akse. Disa zona, pa energji

Më: 16 janar 2017 Në ora: 17:30
Ilustrim

Në vend kanë rifilluar reshjet e dëborës. Kryesisht të prekura janë zonat e veriut dhe juglindja, më konkretisht në Kukës, Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Korçë.

Në terren janë shpërndarë të gjithë autoritetet që po merren me përballimin e situatës dhe lehtësimin e qarkullimit në akset kryesore. Të pakta janë rrugët ku ka prani të ngricave dhe po punohet për pastrimin dhe kriposjen e tyre.

Më problematike paraqitet situata në Qarkun e Shkodrës, ku përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në disa akse, përfshi Shkodër-Shllak-Temal, Tamarë-Vermosh, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Fierzë dhe Shkodër-Bregu Lumit-Theth.

Ndërsa në Kukës, vështirësi paraqitet vetëm në aksin Ura e Zapotit-Shishtavec.

Në Dibër, aksi rrugor Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar dhe me zinxhirë lëvizet në akset Qafë Bualli-Peshkopi-Maqellarë-Bllatë, Ura e Qytezës-Zerqan dhe Ura e Çerenecit-Steblevë.

Në qarkun juglindor të Korçës, vështirësi në qarkullim paraqet aksi Korçë-Boboshticë-Dardhë dhe pjesërisht ai Korçë-Ersekë.

Punonjësit e Emergjencave Civile, Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera për përballimin e situatës gjenden në terren. Vet kryeministri Rama vizitoi qendrën e shpërndarjes së ndihmave në Tamarë.

“Ka ende shumë punë për të bërë dhe vështirësi jo të vogla, por ajo që është kryesore është që do vazhdojmë hap pas hapi, të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga moti, ka qenë viti me më pak ndërprerje të energjisë elektrike në 25 vite, si pasojë e punës së jashtëzakonshme që ka bërë OSHEE, sidomos në zonat më të vështira”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat