Tahiri: Të dorëzojmë armët dhe të ndërtojmë një Shqipëri më të sigurt

Shqipëria

Tahiri: Të dorëzojmë armët dhe të ndërtojmë një Shqipëri më të sigurt

Më: 17 janar 2017 Në ora: 14:15
Ministri Saimir Tahiri, ka qene i pranishëm dhe në ceremoninë e dorëzimit të armëve në shkollën “Asim Zeneli” në Gjirokastër

Pas inaugurimit të Zyrës së prijës së qytetarëve, ministri Saimir Tahiri, ka qene i pranishëm dhe në ceremoninë e dorëzimit të armëve në shkollën “Asim Zeneli” në Gjirokastër, me pjesëmarrjen e drejtorit të policisë, Çako, prefektit Bime dhe kryebashkiakes.

Nën praninë e gazetarëve dhe pyetjeve të tyre lidhur me dorëzimin e armëve ministri Tahiri është përgjigjur, se pse vendosi qytetin e Gjirokastrës për ta nisur këtë fushatë.

Pyetje: Zoti Ministër, përse kjo nisje nga “Asim Zeneli”, në lidhje me mbledhjen e armëve?

Ministri Tahiri: Tani unë dua të falënderoj të gjithë banorët. I janë përgjigjur në mënyrë shembullore thirrjes sonë për të dorëzuar armët. Kemi miratuar amnistinë në Parlament. Ndaj nga këtu, nga njësia e Antigonesë, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve në gjithë Republikën e Shqipërisë të dorëzojnë armët.

Ne kemi detyrimin të shërojmë një sëmundje të cilën Shqipëria e ka në kurriz nga viti 1997. Ne kemi detyrimin të punojmë sot që të garantojmë një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë.

Dhe unë jam shumë i sigurt që të tre zotërinjtë këtu që dorëzuan armët sot, u kanë dhënë një mesazh shumë të mirë të gjithë qytetarëve shqiptarë në mbarë vendin. Por mbi të gjitha, kanë hedhur një hap jo të vogël për të garantuar që fëmijët e tyre dhe fëmijët në gjithë këtë zonë të kenë një të ardhme më të mirë.

Armët janë premisa më e madhe për të pasur më shumë pasiguri. Vetëm vitin e kaluar, pjesa dërrmuese e konflikteve që kemi pasur kanë qenë për motive të dobëta, pra dy qytetarë që në gjaknxehtësi e sipër kanë përdorur armët. Kjo është e patolerueshme dhe e palejueshme në Shqipërinë që duam.

Ndaj unë dua t’i falënderoj dhe një herë. Dhe të jap nga këtu mesazhin për çdo qytetar që e ka armën në shtëpi dhe e mban kot: Dorëzoje! Policia është në shërbimin e çdo qytetari për të garantuar që armët të dorëzohen dhe që të ndërtojmë bashkë qytete dhe komunitete të sigurta, pa armë. Na duhet një Shqipëri pa armë.

Na duhet një Shqipëri e kulturës, e librave, e sportit, por nuk na duhet një Shqipëri me armë. Ka 20 vite, që nga viti 1997, që Shqipëria e ka këtë problem me armët e paligjshme që gjenden në duar të qytetarëve. Sot, ato (armët) duhet të jenë pjesë e një problemi që duhet ta lëmë pas, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.

Ndaj dorëzimi vullnetar i armëve është rruga e duhur për të ndërtuar Shqipërinë që duam. Dua t’i falënderoj edhe një herë zotërinjtë që dorëzuan vullnetarisht armët. Ky do jetë një aksion në të gjithë Shqipërinë. Policia do të trokasë derë më derë në të gjithë Shqipërinë për të ftuar qytetarët të dorëzojnë armët.

Sot sipas ligjit që kemi miratuar, kush dorëzon armët nuk dënohet. I falënderojmë të gjithë ata që e kanë çuar ndër mend se mbajtja e armës në shtëpi është një e keqe për të cilën duhet të marrim masa të gjithë. Arma në shtëpi është një e keqe dhe një rrezik për familjen dhe publikun. Ndaj ejani t’i japim një zgjidhje të gjithë bashkë. Të dorëzojmë armët dhe të ndërtojmë një Shqipëri më të sigurt.

Pyetje: Zoti Tahiri, nisma që keni ndërmarrë ka dhe një afat të caktuar. Si do të veproni më pas, kur nuk do të ketë një afat?

 Ministri Tahiri: Ejani të veprojmë, ejani të mendojmë si të bindim çdo qytetar që të mos mbajë armën në shtëpi dhe ta dorëzojë. Ka muaj kohë përpara për t’i bërë thirrje dhe për t’i ftuar qytetarët të dorëzojnë armët. Policia është në shërbim të qytetarëve, në shërbim të gjitha atyre që duan të dorëzojnë armën. Ndaj merrni në telefon Policinë. Njoftoni institucionet. Dhe ne jemi të gatshëm t’u gjendemi qytetarëve që duan vullnetarisht të dorëzojnë armët. Si ndodhi këtu, do të  ndodhë në çdo cep të Shqipërisë, sepse ne jemi shumë të vendosur për të hequr përfundimisht armët nga duart e qytetarëve shqiptarë. Na duhet Shqipëria pa armë. Ndaj kemi miratuar ligjin. Ndaj nuk dënohet ai që dorëzon tani armën.

Ndaj i bëj thirrje qytetarëve që menjëherë të marrin në telefon Policinë dhe të dorëzojnë armët. Ky është një aksion që do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë. “Shqipëria pa armë” është objektivi ynë për vitin 2017 . Është një plagë 20 vjeçare, që nga viti 1997, që e trashëgojmë padrejtësisht. Është një Plagë që sot kërcënon familjet, fëmijët dhe mbi të gjitha të ardhmen. Ndaj ejani t’i japim një zgjidhje përfundimtare. Dorëzimi vullnetar i armëve është prioriteti ynë për vitin 2017.

Faleminderit ju. I keni dhënë mesazhin më të mirë qytetarëve shqiptarë në të gjithë Shqipërinë: dorëzimi vullnetar i armëve të paligjshme.                                                                                                       

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat