Romeo Karaj tentoi vetëvrasjen? Izet Haxhia: Alibi e Berishës për ta vrarë

Shqipëria

Romeo Karaj tentoi vetëvrasjen? Izet Haxhia: Alibi e Berishës për ta vrarë

Më: 18 janar 2017 Në ora: 17:20
Romeo Karaj dhe Izet Haxhia

Ditët e fundit Partia Demokratike ka sulmuar ashpër dëshmitarin e lidhjeve të familjes Berisha me aferën e CEZ, juristin e CEZ Romeo Karaj.

Një deputete e tyre ka thënë se “ai ka tentuar të vrasë veten”. Këtë gjë madje e ka përsëritur dy herë.

Karaj tha se po tentojnë ta vrasin dhe të thonë që vrau veten. Ditën e djeshme ai u shfaq me Izet Haxhinë, ku ky i fundit ironizonte sulmin e PD.

Në një foto dhe status në Facebook bashkë me Karajn, Haxhia i thotë Berishës se i kanë ngelur vetëm dy rrugë.

“Me mikun tim të vjetër, Romeo Karaj. Meqë qoftëlargu më ka cilësuar kriminel dhe miku im po sipas qoftëlargut ka tentuar të vrasë veten, miku im më kërkoi ta ndihmoja në kryerjen me sukses të ”vetëvrasjes’. Hahaaaaa… Por i them qoftëlargut se me hetimin që ka bërë Romeo, e presin dy rrugë, ose ajo e burgut 313, ose vetëvrasja… Të fala nga Ku?adasi”, shkruan Haxhia.

DITA intervistoi Izet Haxhinë pas këtij postimi në Facebook. Përgjigja e Izetit ishte vërtet befasuese. Romeo Karaj i ka dorëzuar atij dosjen e plotë të aferës CEZ si garanci ndaj kërcënimeve me jetë.

Më poshtë biseda e Haxhisë me gazetarin Erion Habilaj botuar sot në DITA:

Izet, kohët e fundit juristi Romeo Kara ka denoncuar aferën me CEZ ku përfshihet dhe familja Berisha, çfarë keni diskutuar ju me të, dhe pse erdhi t’iu takonte?

Romeon e njoh që nga themelimi i PD në dhjetor të ‘90. Ka qenë një nga aktivistët e parë të PD-së dhe një njeri idealist. Ishte njeri i hapur dhe i thoshte të vërtetat gjithmonë në sy. Kemi patur gjithmonë mendime të njëjta për persona që morën drejtimin e PD.

Kemi qenë edhe pak të ngjashëm në reagimet nganjëherë të dhunshme që bënim ndaj personave që ishin me dyfytyrësi e servilë që ishin me shumicë në PD… E kemi ruajtur miqësinë gjithmonë dhe respektin…

Kur kam filluar të rrëfehem për ju në lidhje me bëmat e Berishës, para më shumë se një viti më ka shkruar dhe më tregoi që është “duke u marrë me një dosje të privatizimit të OSSH-së tek firma çeke “CEZ” dhe më kanë dalë shumë veprime korruptive të Berishës, të të birit dhe personave të tjerë në PD”.

Edhe pse nuk kisha asnjë dijeni që ekzistonte një privatizim i tillë apo firmë e tillë, unë e inkurajova në atë kohë që t’i shkonte deri në fund asaj dosje i bazuar vetëm në fakte dhe të vërteta. Duke folur herë pas here me Romeon kam arritur të kem njëfarë konceptimi për këtë vjedhje të pastër që i është bërë taksapaguesve shqiptarë nga shumë duar të pista, që nga ato të Berishës, të birit, Genc Rulit, Enno Bozdos, Ridvan Bodes e të tjerëve.

Kur erdhi dje në Turqi për të ndjekur një transfertë parash që mund të jetë bërë nga paratë e korrupsionit të CEZ, shprehu dëshirën të më takonte… Me vete kishte sjellë edhe një kopje të gjithë kësaj dosjeje të madhe korruptive dhe një USB ku janë të regjistruara gjithë ato që janë me dokumente në këtë dosje…

Arsyeja kryesore e “dhurimit” të kësaj dosje nga ana e Romeos, ishte edhe ajo që ai ma shprehu me të qeshur, që po më ndodhi gjë mua (Romeos) të mos zhdukej as dosja që ekziston… Shumë materiale të kësaj dosjeje janë në gjuhën angleze, dhe do ta lexoj me hollësi, por me aq sa kam lexuar është një skandal i madh sesi drejtësia ka kërkuar ta mbyllë këtë aferë të pastër të një vjedhjeje të madhe…

A është i besueshëm ky jurist?

Romeo është natyrë këmbëngulëse dhe që ka punuar për ngritjen e vet profesionale pasi ka mbaruar fakultetin pedagogjik në kohën e diktaturës. Pas viteve ‘90 ka mbaruar Fakultetin Juridik dhe ka bërë me dhjetëra specializime në vendet perëndimore në fushën e Arbitrazhit.

Vetë fakti që Romeo ka mbrojtur interesat e shtetit shqiptar në gjyqin ndaj DIA  ku edhe e fitoi këtë gjyq…, tregon që ai nga ana profesionale është mëse i besueshëm. Përsa i përket anës së karakterit, vetë fakti që ai jeton sot në një shtëpi me qira dhe me një rrogë, edhe pse ka pasur mundësi të pasurohet si shumë burokratë të djathtë e të majtë, që kur kanë ardhur në Tiranë kanë patur vetëm një palë këpucë të grisura apo çizme llastiku dhe sot janë me vila e pasuri marramendëse. Dhe është mëse e mjaftueshme që të besoj në ndershmërinë e tij.

Çfarë nënkupton Sali Berisha kur i thotë Romeos se po bën vetëvrasje? Është një kod apo..?

Berishës kur i djeg shumë diçka, gjithmonë ka përdorur metodat mafioze për të zhdukur të tjerët dhe kodet e mafies për të kërcënuar. Ju jap vetëm një shembull të vogël që jam vetë dëshmitar. Berisha kur donte të jepte porosi për një vepër apo aksion antiligjor të thërriste, shkruante në letër atë që të kërkonte të bësh dhe pastaj pasi të jepej miratimi nga ana jote pa folur, e digjte atë letërporosi.

Në rastin e Romeos duke përdorur një shpifje që është lehtësisht e verifikueshme, atë të tentativës për vetëvrasje, Berisha do të ketë të gatshme një alibi për një vrasje që mund të kryejë ndaj Romeos, të cilave ai ua ka marrë dorën që me ato të tipit të aksidenteve e deri tek helmimet me lëndë radioaktive që shkaktojnë sëmundje të pashërueshme. Prandaj shteti shqiptar duhet të marrë masa të forta e profesionale në ruajtjen e jetës së këtij personi… Alibia e Berishës është gati… “vetëvrasje”.

Përse mendoni se z. Karaj po rrezikon kaq shumë për të denoncuar këtë aferë miliona euro?

Duke njohur natyrën e Romeos mua nuk më habit kjo që po bën. Një njeri idealist rrezikon gjithmonë për idealin e vet dhe unë mendoj se Romeo ka ngelur idealist në veten e tij. Dikush mund ta quajë atë, por edhe mua, “të çmendur” apo “të shitur”, por unë do uroja që në Shqipëri të dilnin akoma të çmendur si puna jonë. Shqipërisë i nevojiten edhe disa prokurorë dhe gjykatës të ‘çmendur’ si puna jonë sa më parë.

Edhe një pyetje disi jashtë kontekstit të temës së mësipërme. Po diskutohet se miku yt Shenasi Rama do të nisë një lëvizje të re për rithemelimin e të djathtës. E konsideroni këtë si një rikthim tek idealet e Dhjetorit ’90 që u tradhtua nga PD?

E përshëndeta dhe u gëzova që më në fund ish-studenti rebel i Lëvizjes së Dhjetorit Shenasi Rama vendosi të hyjë në politikën e konsumuar e të vjetruar shqiptare, me një lëvizje të re politike. Në kemi një inflacion të partive politike, por lëvizja e profesor Shenasiut mendoj se do jetë një lëvizje ndryshe larg interesave të moçalit politik të Tiranës, afër interesave të kombit e krijimit të shtetit modern shqiptar dhe teknike të së drejtës, larg korrupsionit politik, larg përçarjes e ndarjes klanore.

Unë mendoj se misioni i mbetur përgjysmë në atë fillim të pluralizmit, për shkakun e tradhtisë së Berishës që e ktheu PD në një parti spiunësh e servilësh në shërbim të vetëm një klani antishqiptar, lëvizja e Shenasi Ramës, Grid Rrojit, Valbona Karanxhës dhe e shumë idealistëve të tjerë të dhjetorit do të mbushë spektrin politik të së djathtës shqiptare. Shqipërisë i duhet një lëvizje e tillë dhe duhet përkrahur. Uroj që ky projekt të çohet deri në fund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat