Zbardhet vendimi, ja cilat struktura të policisë përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë

Shqipëria

Zbardhet vendimi, ja cilat struktura të policisë përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë

Më: 18 janar 2017 Në ora: 19:36
Ilustrim

Tashmë nga sigurimi shëndetësor i veçantë do të përfitojnë edhe punonjës të disa strukturave të policisë së shtetit.

Ky është vendimi që është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku janë përcaktuar edhe strukturat përkatëse siç janë forcat speciale, atë të ndërhyrjes së shpejtë, forcat e posaçme operacionale apo dhe punonjësit e policisë që shërbejnë si oficerë kontakti, pranë ministrive homologe të shteteve të huaja, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë. 

Vendimi  

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 68, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I: 

1. Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, në funksion të përmbushjes së detyrës së tyre, përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë për shërbime shëndetësore të cilat nuk janë pjesë të paketave të shërbimit shëndetësor, që ofrohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. 

2. Kategoritë e punonjësve të Policisë së Shtetit që përfitojnë sigurimin shëndetësor të veçantë janë, si më poshtë:

a) Forcat speciale;

b) Forcat operacionale të ndërhyrjes së shpejtë;

c) Forcat e posaçme operacionale;

ç) Punonjësit e policisë që shërbejnë si oficerë kontakti, pranë ministrive homologe të shteteve të huaja, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë. 

3. Punonjësit e policisë të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor i veçantë, shërbim shëndetësor:

a) për kontrollin parandalues;

b) diagnostikues;

c) kurues. 

4. Policia e Shtetit, për shërbimet shëndetësore të cilat nuk janë pjesë e paketave të shërbimit shëndetësor, që ofrohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidh kontratë me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. 

5. Policia e Shtetit, me qëllim ofrimin e shërbimit shëndetësor të veçantë, kryen procedurat, si më poshtë vijon:

 a) Brenda muajit korrik të çdo viti, parashikon fondet buxhetore, duke përllogaritur një prim sigurimi jo më shumë se 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë për çdo punonjës që do të sigurohet;

b)  Brenda muajit dhjetor të çdo viti, harton listën e punonjësve përfitues, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi;

c)  Përzgjedh shoqërinë e sigurimit sipas rregullave të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik;

ç)  Njësitë buxhetore i dërgojnë shoqërisë së sigurimit, brenda dy ditëve, çdo ndryshim që ndodh në listën emërore të përfituesve. 

6. Fondi i përcaktuar për këtë qëllim, planifikohet për çdo vit, në programin buxhetor të Policisë së Shtetit. 

7. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat