Deputeti i PD: Kërkesat për zgjedhjet të lira e të ndershme mund të amplifikohen vetëm me opozitën në Kuvend

Shqipëria

Deputeti i PD: Kërkesat për zgjedhjet të lira e të ndershme mund të amplifikohen vetëm me opozitën në Kuvend

Më: 18 janar 2017 Në ora: 20:47
Ilustrim

Ish­ ministri Genc Ruli është i bindur se me këtë qeveri nuk mund të ketë garanci për zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk do të ketë votim dhe numërim elektronik. Në një intervistë për “Panorama”, deputeti demokrat sqaron qëndrimin që ai shfaqi në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar dhe mundësinë për shtyrjen e zgjedhjeve me disa ditë, deri në realizimin e kërkesave të opozitës.

Ruli mohon që gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të ketë pasur një diferencë mendimesh mes ish­kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PD­së, Lulzim Basha, sa i takon një bojkoti të mundshëm të Parlamentit nga PD, shkruan Panorama. Sipas tij, duhet që opozita të japë një sinjal të fortë në Parlament për kërkesat që ajo ka për Reformën Zgjedhore dhe prezenca e saj në Kuvend të jetë vetëm për të artikuluar këto kërkesa. Ish­ministri demokrat thekson se gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar ka pasur edhe deputetë që kanë kërkuar një vijim normal të jetës parlamentare, por sipas tij PD nuk mund të bëhet legjitimuese e farsës së maxhorancës.

Z.Ruli, në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar ju keni pasur një qëndrim të ndryshëm me përfaqësuesit e tjerë të Grupit. Cili duhet të jetë, sipas jush, qëndrimi që duhet të mbajë PD-­ja në lidhje me Parlamentin dhe si duhet t’i imponohet shumicës për plotësimin e kushteve të saj për Reformën Zgjedhore?

 Unë gjatë diskutimit tim në mbledhjen e Grupit Parlamentar jam nisur nga principi që kemi disa parakushte të ligjshme, që janë të nevojshme për zgjedhjet e ardhshme. Në një situatë që po shohim një pushtet të legjitimuar të kartelit të drogës, një kontroll absolut mbi mediat, një klikë biznesi, e cila ka marrë përfitime të pamata nga investimet publike me licenca për investime private, kush mendon se këta njerëz do të heqin dorë nga pushteti? Këta të gjithë do të bëhen ortakë me pushtetin.

Prandaj, të paktën disa parakushte, që nuk janë garanci e mjaftueshme, por janë garanci e nevojshme, sikur është kontrolli i financimit të partive, votimi elektronik, dekriminalizimi i përshpejtuar dhe një mbikëqyrje e fortë ndërkombëtare e gjithë procesit paraelektoral dhe elektoral, ne duhet të japim që sot ultimatumin për këto gjëra. Aq më mirë që e dhamë me një grup partish aleate. Plotësimi i këtyre kushteve, që janë ta arritshme dhe të mundshme, sigurisht përmes presionit që ne si opozitë i bëjmë qeverisë, do të bëj që ne t’ia dalim për plotësimin e kërkesave tona. Nuk më duket këtu sikur me këtë lloj vendimmarrjeje Partia Demokratike ka hyrë në një proces të paprecedentë.

E ka bërë Rama këtë presion në vitin 2007 me kartat e identitetit. Madje, Rama në atë kohë ka thënë që nuk hyj në zgjedhje, gjë të cilën ne nuk e kemi artikuluar. E njëjta histori edhe në vitin 2009, sërish me Ramën, me kërkesat e tij për listat e votuesve. Kishte apo nuk kishte të drejtë ai, është diçka tjetër, por e vërteta është që ishte një presion që u mbajt parasysh, me hir apo me pahir, nga qeveria e PD-së. U plotësuan ato kushte që të shkohej në një proces zgjedhor normal. E njëjta gjë është edhe sot. Madje, sot që flasim kambanat e alarmit për manipulim janë shumë më të mëdha, seç kanë qenë atëherë.

Në rast se qeveria nuk do të reflektojë, për një arsye apo për një tjetër, në lidhje me kërkesat që ka artikuluar opozita, cila është rruga që PD duhet të ndjekë, sipas jush?

Unë nisem nga fakti që qeveria nuk ka asnjë rrugë tjetër, veçse të reflektojë. Presioni që ne duhet të bëjmë për kërkesat tona duhet të jetë i hapur. Madje, unë mendoj që edhe pjesëmarrja jonë në Parlament duhet të jetë vetëm për një temë. Ne marrim pjesë në Parlament vetëm për të kërkuar edhe për të përsëritur kërkesat tona. Për pjesën tjetër të strukturës normale, që të diskutojmë për çdo lloj ligji, për çdo lloj akti normativ, unë nuk shoh që po i japim ndonjë kontribut jetës parlamentare dhe demokracisë.

Por edhe sa kohë duhet të presë opozita për plotësimin e këtyre kushteve, kur kanë ngelur edhe 5 muaj nga data e dekretuar nga Presidenti për zgjedhjet parlamentare?

Opozita do të presë. Këto kushte, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë që nga muaji maj i vitit të kaluar që artikulohen. U zbeh pak artikulimi i tyre, për aq kohë sa ndërhyri në mes procesi i Reformës në Drejtësi, por janë kushte të artikuluara, nuk janë kushte të reja. Për këtë reformë u ngrit edhe një komision i reformës zgjedhore, e cili është bojkotuar në mënyrë dinake nga vetë maxhoranca. Deri sot ka bërë vetëm dy mbledhje formale. Edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar, te kjo pikë kam këmbëngulur. Kam thënë që, nëse marrim pjesë në jetën parlamentare, zëri ynë ka vlerë, për aq kohë sa i bie kambanës që, me këtë klikë të instaluar mediatike, politike dhe kriminale dhe me të gjithë tendencën që ata kanë për ta konsoliduar edhe për shumë vite të tjera pushtetin e tyre, ne nuk mund të bëhemi legjitimues të kësaj farse.

A ka kohë për votim dhe numërim elektronik? Pasi është një proces që, veç kostos, kërkon edhe kohë për t’u testuar, për të qenë i sigurt në aplikimin e tij në zgjedhje?

Ka kohë për gjithçka, nëse ka vullnet. Blushi ishte i saktë në artikulimin e tij në Parlament, kur deklaroi se nëse ka vullnet për realizimin e këtij procesi zgjedhor, pezullohen të gjitha gjërat e tjera dhe investohet vetëm në këtë fushë.

Edhe nëse ky proces do të tejkalojë datën e përcaktuar nga Presidenti? Mund të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve?

 Për mua është e arritshme brenda këtij afati me 99%. Por edhe nëse do të duhen edhe 20 ditë më shumë, mund të ketë një consensus mes maxhorancës, opozitës dhe të gjitha forcave parlamentare dhe të vendosin një afat të ri. Siç kemi bërë zgjedhje të parakohshme disa herë në historinë e këtyre 25 viteve, mund të bëjmë edhe zgjedhje që mund të vonohen me 10 apo me 15 ditë nga data e përcaktuar.

Ka pasur një diferencë mendimesh gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar mes ish­kryeministrit Berisha dhe kreut të PD­së, Basha, në lidhje me një bojkot të mundshëm të opozitës në Parlament?

Jo, nuk ka pasur një diferencë mendimesh mes Bashës dhe Berishës. Madje, një pjesë e madhe e Grupit Parlamentar kanë qenë në të njëjtën linjë mendimi. Por ka pasur edhe disa zëra të tjerë që kanë kërkuar që jeta parlamentare të vazhdojë me një ritëm normal, sikundër bëhet në një periudhë të zakonshme me diskutim në seancë të të gjitha ligjeve, me pjesëmarrje 100% në mbledhjet e komisioneve. Pra kanë qenë më shumë hezitime të këtij lloji. Por nuk kishte qëndrime diametralisht të kundërta, pavarësisht se nuk u kalua në një vlerësim përfundimtar të vendimit. J.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat