Masa disiplinore për gjyqtarët, afat 3 muaj

Shqipëria

Masa disiplinore për gjyqtarët, afat 3 muaj

Më: 19 janar 2017 Në ora: 08:59
Ministria e Drejtësisë

Një projektligj është propozuar edhe për ndryshime në ligjin për funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë. Janë tre nene të cilët do të ndryshohen ndërsa gjithçka është përgatitur nga një grup ekspertësh në përbërje të të cilëve mësohet se kanë qenë edhe prokurorë dhe gjyqtarë si dhe misionet e huaja që aderojnë në vendin tonë për çështjet e drejtësisë. Ajo që bie në sy në këtë propozim ka të bëjë kompetencat e ministrisë së Drejtësisë në lidhje me KLD-në dhe afati që do të përdoret për procedimin disiplinor për gjyqtarët ku pretendohet se nuk duhet të kalojnë tre muaj që nga afati i nisjes së shqyrtimit.

Gjithashtu parashtrohet edhe fakti tjetër që ky procedim, nëse është i filluar duhet të përfundojë brenda 3 muajve që nga momenti që hyn në fuqi ligji. Kompetenca për të filluar procedimin disiplinor i njihet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke i lënë kompetencë Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces vetëm paraqitjen e ankesës tek inspektori i lartë i Drejtësisë në rastet kur ka të dhëna të besueshme që një gjyqtar ka kryer veprime që përbëjnë shkelje disiplinore.

Gjithashtu kompetencat e kontrollit mbi organin e prokurorisë nuk ushtrohen me nga Ministria e Drejtësisë por nga organi i ri kolegjial i ngritur; Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në rastet e shkeljeve disiplinore. Në paketën ligjore të reformës në drejtësi janë parashikuar kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë pranë organeve të KLGJ dhe KLP, lidhur me koordinimin, zhvillimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe të strategjisë sektoriale të sektorit të drejtësisë.

Ndërsa në nenin 2 të projektligjit, me qëllim përshtatjen "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dispozita kalimtare për procedimet disiplinore", është parashikuar kompetenca e Ministrisë së Drejtësisë për të përfunduar procedimet disiplinore brenda afatit 3 mujor nga hyrja ne fuqi e ligjit. Kështu ky dikaster duhet të marrë masa që të përfundojë hetimet disiplinore të papërfunduara brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji për të gjithë gjyqtarët që janë në këtë në proces.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat