Patozi i sqaron Ramës arsyet pse votimi elektronik nuk është kapriço e PD

Shqipëria

Patozi i sqaron Ramës arsyet pse votimi elektronik nuk është kapriço e PD

Më: 19 janar 2017 Në ora: 09:13
Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka shkruar dje në rrjetet sociale se vetëm kryeministri Edi Rama mund t’i shpëtojë këto zgjedhje. “E kam kërkuar këtë interpelancë sepse mendoj se ti je përgjegjësi kryesor për fatin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, por edhe ngaqë mendoj se ka ende kohë, ndonëse jo shumë, për t’i shpëtuar ato. Gjatë muajve të fundit je përpjekur të mos flasësh vetë për këtë çështje, duke bërë sikur nuk ta ndjen shumë. Por e ke bërë gjithsesi përmes të tjerëve dhe nuk është e vështirë të kuptohet që nuk ti ke as më të voglën dëshirë ta trazosh moçalin e fëlliqur të ambientit elektoral në Shqipëri, pasi vetëm kështu mendon se fiton sërish.

Ti nuk ke asnjë detyrim ta marrësh në konsideratë mendimin tim, por unë ndjehem i detyruar që ta them se e ke keqkuptim të madh këtë”, shkruan deputeti demokrat. Më tej Patozi i sqaron Ramës arsyet pse votimi elektronik nuk është kapriçio e PD-s-së, por domosdoshmëri akute në Shqipëri. “Të takon ty vendimi për fatin e zgjedhjeve e Shqipëri, ndaj nuk ka nevojë të fshihesh pas letrës së OSBE-së dhe shpjegoja atyre, se edhe për shkakun tënd, ky vendi ynë i bukur dhe i dashur nuk mund të konsiderohet, as si Franca, as si Kroacia, madje as si Maqedonia, kur vjen puna për zgjedhjet. Sepse të tillë e kemi bërë veten”, tha Patozi. Duke shtuar se votimi elektronik është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë, Patozi përmend edhe shembullin e Francës, e cila, sipas tij ka ndryshim të madh me Shqipërinë.

“Tani dy fjalë pse votimi elektronik është e vetmja zgjidhje dhe një përgjigje për ata që na përmendin shembujt e Francës apo Gjermanisë. E di ku është ndryshimi ynë me ato vende të respektuara? Fare “i vogël” është, në fakt. Se tek ata njeriu është zgjidhja, ndaj makina shikohet si problem, sepse ajo edhe mund të gabojë. Ndërsa tek ne njeriu është problemi, ndaj edhe makina është e vetmja, që shikohet si zgjidhje. Kaq e thjeshtë është. Edhe ne e dimë që makina mund të gabojë, bllokohet, prishet, por jemi të përgatitur ta marrim këtë rrisk, sepse gjykojmë se është e keqja më e vogël. Tek e fundit, ajo do të gabojë pa dashje dhe mbase masa e dëmit do të jetë njësoj për të gjithë. Ndërsa po ta lemë në dorë të njerëzve të qeverisë ka vetëm një rezultat, masakër të votes”, shton ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat