Dorëzohet Prokuroria, s'gjen dot personin që përgjoi ministrin Tahiri

Shqipëria

Dorëzohet Prokuroria, s'gjen dot personin që përgjoi ministrin Tahiri

Më: 19 janar 2017 Në ora: 12:02
Saimir Tahiri

Aso kohe u konsiderua si një tjetër skandal ndërsa do të verifikohej se ministri i Brendshëm ishte vendosur nën përgjim. Një çimkë e vogël, që sipas të dhënave të ekspertëve ishte pajisje përgjuese, u gjet në paradhomën e ministrit të Brendshëm, pra në zyrën e sekretares së tij, në mjetin që shërbente për grirëse letrash. 

Në fakt, përgjimet, vitin e kaluar u bënë një prej problemeve më shqetësuese në vend, por në asnjë prej rasteve të bëra publike, prokuroria nuk arriti të çonte në bankën e të akuzuarve asnjë person të dyshuar konkretisht veç dy oficerëve të policisë që u akuzuan për përdorimin e pajisjes së italianëve, që kishin sjellë në vendin tonë për çështjen e trajnimit të një skuadre policore që do të merrej me përgjimin.

Mirëpo në rastin e ministrit të brendshëm Prokuroria duket se është dorëzuar pasi nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë të ndonjë personi tjetër në atë zyrë veç inxhinierit që është marrë me pajisjet elektronike të zyrave në dikasterin e brendshëm.

Pezullimi i hetimeve

Prokuroria e Tiranës pezullon hetimet për pajisjen e përgjimit të gjetur në paradhomën e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Bëhet me dije se prokuroria, për shkak të mos gjetjes së provave që identifikon ndonjë individ të mundshëm që ka vendosur këtë pajisje, ka vendosur të pezullojë hetimet. 

Burimet thanë se, edhe pse janë kryer një sërë procedurash hetimore në bashkëpunim me ekspertët e policisë shkencore dhe specialist të Policisë së Shtetit, nuk janë gjetur prova që identifikojnë ndonjë individ apo person që ka vendosur pajisjen e përgjimit. Sipas akuzës, një nga veprimet kryesore të hetimit, ka qenë edhe gjetja dhe marrja e gjurmëve nga pajisja e gjetur në aparatin e grirjes së letrave për të kryer ekzaminimin e ADN-së. 

Por, laboratori nuk ka arritur të gjejë gjurmë të personave të tjerë, veç ekspertit të IT-së së policisë shkencore, i cili pas gjetjes së pajisjes së përgjimit ka bërë zhvendosjen e tij nga aparati i grirëses së letrave. Burimet saktësojnë, se nuk është gjetur ndonjë gjurmë tjetër në këtë pajisje përgjimi, e cila mbetet ende enigmë se si u vendos në paradhomën e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Verifikimi i kamerave

Nga ana tjetër sipas prokurorisë, nga kamerat e sigurisë të sekuestruara në paradhomën e ministrit dhe korridoret e këtij institucioni, nuk janë fiksuar persona të dyshimtë që mund të jenë afruar grirëses së letrave që ndodhej në paradhomën e ministrit, si dhe nuk janë gjetur pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të kohës kur është vendosur letërgrirësja në paradhomë. 

Sipas akuzës, ekspertët kanë ekzaminuar edhe në aspektin teknik pajisjen e përgjimit, që rezultoi se ishte një pajisje që transmeton zërin në një aparat marrës që mund të ishte vendosur në një perimetër të afërt me vendin e vendosjes së përgjuesit. Nuk është arritur të provohet, thonë prokurorët, koha e vendosjes së kësaj pajisje dhe sa biseda mund të ketë transmetuar. 

Prokurorët, për llogari të këtij hetimi, mësohet gjithashtu, se veç tjerave kanë pyetur edhe sekretaren e ministrit të Brendshëm, e cila nuk ka arritur të identifikojë ndonjë person të dyshuar që mund t’i ketë vendosur pajisjen e përgjimit.

Skandali

Na majin e vitit të kaluar u tha se ministri i brendshëm, Sajmir Tahiri, zbuloi në zyrë pajisje përgjimi dhe e dorëzoi në Prokurori bashkë me një kallëzim penal. Burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, bënë me dije aso kohe se Ministria e Brendshme kishte dorëzuar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës, ku kërkohet të gjendej personi që i ka vendosur në zyrë ministrit Tahiri aparat përgjimi. Informacionet aso kohe nuk dhanë detaje për llojin dhe përmasat e aparaturës së përgjimit, por saktësuan se sendi ishte dërguar në laboratorin e policisë shkencore për ekzaminim.

Sipas Prokurorisë, referuar kallëzimit të bërë në atë kohë, regjistrimi i procedimit penal u bë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi nga të dhënat paraprake, dyshohej se personi që i kishte vendosur pajisjen e përgjimit në zyrë ministrit Tahiri dyshohej se ishte punonjës i Ministrisë së Brendshme. 

Madje u hodhën edhe dyshime konkrete se bëhej fjalë edhe për një bisedë konkrete, por, asnjë e dhënë nuk u regjistrua nga ana e hetimit për këtë çështje. Madje nuk dihet as se ku ishte vendosur aparati me të cilën ishte lidhur pajisja e përgjimit, pajisje që në momentin e zbulimit u tha se kishte të gjitha mundësitë të ishte shumë afër me zyrën e vetë ministrit, pra që aparatura e madhe ishte e vendosur brenda dikasterit blu!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat