Zgjedhjet 2017 - Kokëdhima kërkon votim elektronik, sulmon qeverinë Rama

Shqipëria

Zgjedhjet 2017 - Kokëdhima kërkon votim elektronik, sulmon qeverinë Rama

Më: 19 janar 2017 Në ora: 18:07
Koço Kokëdhima

Ish-deputeti socialist, Koço Kokëdhima është shprehur në mbështetje të votimit dhe niëmrimit elektronik në zgjedhje.

Gjatë bashkëbisedimit me socialistët e Tiranës, ai akuzoi mazhorancën dhe opozitën se kanë krijuar një sistem të rafinuar të vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve

Kokëdhima: Ndër të gjitha krimet, më i rëndi është vjedhja, trafikimi dhe manipulimi i votës së popullit. Vjedhja dhe ndotja e zgjedhjeve. Saliu e mbolli në Shqipëri kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve, nga manipulimi, trafikimi dhe vjedhja e zgjedhjeve nuk fitojnë socialistët dhe qytetarë të thjeshtë të Shqipërisë.Nga manipulimet e zgjedhjeve fiton vetëm kasta sunduese. Këta politikanë nuk i mundësojnë dot akoma Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.Udhëheqësit e majtë në vend që të distancoheshin nga kultura e vjedhjes së zgjedhjeve i vajtën pas, dhe të dy palët rafinuan një sistem të manipulimit të zgjedhjeve ku populli voton dhe kryetarët numërojnë  votat. Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votim elektronik në qendrat e votimit, numërim elektronik, administratë zgjedhore jo partiake, lejimin e emigrantëve për votim, kontrollin e plotë të financimit të zgjedhjeve për të kriminalizuar dhe dënuar ashpër çdo shkelje në proçesin elektoral, shitjen dhe blerjen e votës, trafikimin dhe tjetërsimin.

Kokëdhima tha se lëvizja e tij ka për qëllim reformimin e PS, duke shuar zërat se ka për qëllim të kalojë tek LSI.

Kokëdhima: Unë jam socialist dhe kam punuar e investuar më shumë se kushdo tjetër për fuqizimin dhe suksesin e PS, nuk krijon parti tjetër, nuk shkoj tek LSI. Nuk ik nga PS, këtu kam miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi. Lëvizja jonë nuk mund të izolohet.Partia e udhëheqjes është përpjekur ta likujdojë këtë reformë dhe këtë lëvizje reformuese, ka shantazhuar qindra e mijëra socialistë. Askush nuk duhet të trembet. Gjyqi që rrëzoi mandatin tim në Kushtetuese nuk ishte betejë ligjore, as betejë politikë mes meje dhe Saliut. Ishte vazhdim i luftës së brendshme politike me PS.

Me gjuhë të ashpër ish-deputeti socialist foli dhe për ekonominë e vendit dhe eksodin e shqiptarëve.

Kokëdhima: Ekonomia e vendit është në gjendje të mjerë, pronës publike duket se i është shpallur luftë, dhe ajo çka mbetur vidhet dhe keqmenaxhohet. Në institucionet e shtetit ka kaq shumë tutkunë, kusarë e dembelë, zyrtarë arrogantë dhe paskupullt. Njerëzit e mirë që kanë mbetur në administratë duken si të leshtë në këtë mjedis dëshpërues. Shteti ynë nuk di të bëjë asnjë punë tjeër përveçse të marrë borxhe joefektive, të bëjë tendera të manipuluar dhe të japë koncesione turpëruese për interesa të ekonomisë sonë. Vendi ynë nuk është më terheqës për investime, mbi 60 mijë forca të afta emigrojnë në çdo vit, të gjithë të rinjtë janë gati të ikin nga Shqipëria me mundësinë e parë që tu krijohet. Ky vend, ky eksod dramatik ka prekur dhe shqiptarët e trevave të tjera në Ballkan, çfarë do të ndodhë në 20 vitetet e ardhshme nëse kjo situatë do të vazhdojë kështu? Shqipëria do të mbetet me 1.2-1.4 mln njerëz, kryesisht pleq dhe të sëmurë, të paaftë dhe injorantë, padyshim dhe me të korruptuar dhe kriminelë dhe me një dyzinë me leshko e intrigantë. Do ti kemi këtu dhe kryetarët e lumtur dhe të përjetshëm të partive të cilët do u molepsen njerëzve dhe në gjumë, do u dalin përpara në çdo cast jo vetëm sa herë të hapin televizorët por dhe kur të hapin frigoriferët. Pse punët e Shqipërisë shkuan keq në këto vite tranzicioni, pse nuk u realizuan ëndrrat dhe aspiratat e prindërve tuaj?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat