RENEA superaksion në Vlorë, kapet autori i masakrës në plazh

Shqipëria

RENEA superaksion në Vlorë, kapet autori i masakrës në plazh

Më: 20 janar 2017 Në ora: 10:10
Delin Hajdaraj

Policia e Vlorës ka bërë të mundur arrestimin e një personi të dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasje të trefishtë në vitin 2013.

Arrestimi i shtetasit Delin Hajdaraj, banues në Vlorë, u bë rreth orës 20:30 të një nate më parë në lagjen “Ujë i Ftohtë”. 26-vjeçari ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me shtetasin Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen "Ujë i Ftohtë", në Plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri, në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë 3 shtetas.

Bëhet e ditur se policia e Vlorës duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale Renea Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth 4 vite në arrati.

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se policia dispononte informacion se ky shtetas strehohej edhe në 2 banesa të tjera me qira brenda në qytet. Të tre banesat i mbante me qira që prej muajit gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.

Ndërkohë Delin Hajdaraj akuzohet për vrasjen e Sokol Isufajt, 34 vjeç nga Roskoveci i Fierit, Diana Ademit, 53 vjeçe, nga Vlora dhe 17-vjeçarit nga Përrenjasi, Serdi Bajlozi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat