Rrëfimi i vrasësit të trefishtë: Me para më mbante e dashura spanjolle

Shqipëria

Rrëfimi i vrasësit të trefishtë: Me para më mbante e dashura spanjolle

Më: 21 janar 2017 Në ora: 11:50
Delin Hajdaraj

Policia e Vlorës në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA Tiranë në një super-operacion, bënë të mundur arrestimin e Delin Hajdarajt rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e trefishtë, të ndodhur më datë 28 korrik të vitit 2013.

Para oficerëve të policisë, i riu pohoi se nuk kishte dashur të vriste 3 të pafajshmit, por vetëm të trembte djemtë që i kishin ngacmuar motrat e Leo Osmenit (shokut ose kushëririt të tij të largët).

“Armën nuk e mora posaçërisht me qëllim për të vrarë ata 3 persona të cilët humbën jetën aksidentalisht, por vetëm me qëllim për të trembur ata djemtë që kishin ngacmuar motrat e Leo Osmenit”, mësohet të jetë shprehur Hajdaraj.

Nga ana tjetër ai justifikoi dhe veprimin e tij, pasi në kohën kur ndodhi krimi ishte 22 vjeç, nuk mundi që të kontrollonte veten. Ndër të tjera Hadaraj tha se nuk e kishte idenë sesi plumbat kishin qëlluar 3 jetë njerëzish.

“Nuk e mbaj mend fare skenën. Di që kam qëlluar në ajër”. Sakaq, 26-vjeçari ka marrë përsipër 3 vrasjet, duke shtuar se Leo Osmeni nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen dhe se po vuante kot dënimin në burg.

“Leo nuk ka faj dhe s’ka pse qëndron në burg. Unë e kisha armën dhe unë qëllova me breshëri. E mësova nga televizori që kishin humbur jetën 3 persona. Për këtë që kam bërë atë dite, jam shumë i penduar! E kam përjetuar shumë rëndë, shumë keq humbjen e tyre. I kërkoj falje familjareve përkatës dhe ua them me bindje të plotë se jam penduar shumë”, shtoi Hajdaraj.

“Kisha frikë të dorëzohesha”

Grupi hetimor e ka pyetur të riun se pse nuk u dorëzua pas momentin të krimit. Burime nga grupi hetimor raportojnë se pretendimi i 26-vjeçarit kishte qenë se e kishte kapur paniku dhe se ishte ndjerë i frikësuar që të dorëzohej.

“Më zuri paniku. Më mirë preferova të rrija mbyllur sesa të shkoja në burg. Madje edhe kur rrija mbyllur në shtëpi, kam qenë pothuajse njësoj si në burg. Nuk doja të dorëzohesha sepse me këto gjyqtarë të korruptuar që kemi ne, kisha frike se do më merrnin më qafë akoma me shumë, ndaj nuk e bëra.”, rrëfen Hajdaraj.

“Me para më mbante e dashura spanjolle”

Delin Hajdaraj u shpreh se kishte para mjaftueshëm, pasi i dërgonin familjarët nga jashtë (ka një vëlla në Bruksel). Përveç kësaj ai ka pohuar se para i dërgonte dhe e dashura spanjolle. Mes të tjerat ai deklaroi se babain e kishte në burg dhe se shumë shpejt i dilte nga izolimi pasi i mbaronte dënimi.

Teksa është pyetur se si i merrte të paratë, në bankë apo ia dërgonin dorazi, ai shton se ‘ kam shok e miq, gjeja rrugë të ndryshme’. “Për 4 vite me radhë kam ndenjur brenda, nëpër banesa të ndryshme që merrja me qira”, shton më tej ai, ndërsa nuk bën të ditur emrat e pronarëve të banesave ku jetonte.

Ai shton se: “Kishte menduar që më përpara të mblidhja disa para nga këto që më dërgonin, e më pas të bëja një plan për tu larguar jashtë Shqipërisë. Armën e zjarrit kisha pak kohë që e kisha marrë. E gjeta nga shokët, njerëz të afërm”, ndërsa shtoi se: “Për 4 vite rresht jam bërë keq vetëm dy herë për spital.

Por e kam kaluar në kushte shtëpie sëmundjen, me ilaçe. Në spital nuk kam shkuar asnjëherë pasi kam pasur frikën e policisë. Në një gjendje të rënduar psikologjike, i riu tha se nuk mund të zhbëjë atë që bëri. “Nuk ndihem mirë. Se kisha menduar kurrë që do kapesha nga policia. por kur erdhën në banesë forcat e policisë, nuk doja të bëja rezistencë. Nuk ka shije të mirë kjo që jam përballë jush, por nuk e kthej dot mbrapsht”, përfundon ai.

“Motra e Leos na kërkoi ndihmë”

Sipas dëshmisë së Leo Osmënit, Delin Hajdaraj ka hapur zjarr në drejtim të pushuesve. Osmëni ka dëshmuar në polici se sherri me pesë djemtë nga Fieri ka nisur pasi këta të fundit i kanë ngacmuar motrën, teksa ajo pushonte në plazhin privat “Kalaja”, në Vlorë. Ai është telefonuar nga e motra, e cila i ka kërkuar ndihmë se disa djem e kishin bezdisur duke i kërkuar emrin për ta kontaktuar në rrjetin social “Facebook”.

18-vjeçari ka dëshmuar se është nisur menjëherë drejt plazhit, bashkë me mikun e tij, Hajdarajn. Sapo ka mbërritur, Osmëni është konfrontuar fizikisht me të rinjtë fierak dhe në një moment i ka kërkuar mikut të tij të nxirrte armën që mbanin në bagazhin e makinës. Ekzekutori Delin Hajdaraj ka shtënë tri herë me breshëri, por ai ka humbur kontrollin e armës, duke vrarë tre plazhistët, që nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Në këtë ngjarje të rëndë mbetën të vrarë 17-vjeçari Serdi Bajlozi, 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 53-vjeçarja Diana Ademi, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen, por humbën jetën pas plumbave rikoshet.

“Jam penduar, vrava njerëz të pafajshëm, por…”

“Jam penduar, vrava njerëz të pafajshëm. Kam qenë i vogël, qëllova në ajër nuk e di si më iku arma”. Kjo është dëshmia e parë e dhënë në Polici e Delin Hajdarajt, i dënuari me burg përjetë për vrasjen e 3 personave të pafajshëm para 4 viteve në plazhin e Kalasë në Vlorë.

Ngjarja

I riu me banim në Vlorë, akuzohet për vrasjen e Sokol Isufajt, 34 vjeç, nga Roskoveci i Fierit, Diana Ademit, 53 vjeçe, nga Vlora, por banuese në Gjermani me familjen prej 20 vitesh, dhe 17-vjeçarit nga Përrenjasi, Serdi Bajlozi.

Ata u konsideruan nga policia dhe prokuroria viktima të pafajshme në konfliktin që Hajdaraj dhe shoku i tij, Leo Osmeni, tashmë i burgosur, kishin me një grup të rinjsh nga Fieri.

Shkak ishte ngacmimi i motrës së Osmenit, edhe ky me precedentë penalë. Grindja në lokalin e resortit turistik përfundoi në përdorimin e armës. Hajdaraj, i informuar për grindjen, ka mbërritur me një makinë, e pa u interesuar për shënjestrën ka qëlluar nga distanca e afërt me breshëri, tek shkallët, duke lënë në shezlon tre pushues të vdekur.

Shtetasi Delin Hajdaraj, ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 Korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me shtetasin Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri automatike model 56, në prezencë të pushuesve të tjerë vranë tre të pafajshmit.

Policia e Vlorës, duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale Renea Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth 4 vite në arrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat