Dëmshpërblimi për familjet e 21 janarit, vetëm një nga betejat për rivendosjen e drejtësisë

Shqipëria

Dëmshpërblimi për familjet e 21 janarit, vetëm një nga betejat për rivendosjen e drejtësisë

Më: 21 janar 2017 Në ora: 23:44
Pamje nga protesa e 21 janarit, Tiranë

Në një deklaratë të përbashkët, Qendra Res Publica, e cila ka kryer përfaqësimin ligjor të familjeve të viktimave të 21 janarit dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë - Soros, përshëndetën vendimin e qeverisë për alokimin e fondeve për të mbuluar dëmshpërblimet e përcaktuara nga gjykatat, por shtojnë se dëmshpërblimi është vetëm një nga betejat ligjore për rivendosjen e drejtësisë.

Qeveria shqiptare miratoi më 18 janar një shtesë fondi prej 160 milionë lekësh për Gardën e Republikës me synimin e shlyerjes së dëmshpërblimeve për familjet e katër viktimave të protestave të 21 janarit 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por avokatët e familjeve nga qendra Res Publica si dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros, i cili mbështet avokatët, thonë se dëmshpërblimet janë vetëm një nga aspektet e betejës ligjore shumëvjeçare për rivendosjen e drejtësisë.

Në një deklaratë të përbashkët, Qendra Res Publica dhe Fondacioni Soros, përshëndetën vendimin e qeverisë për shlyerjen e detyrimeve ligjore të përcaktuara nga gjykatat ndërsa shtuan se beteja vijon për të goditur mënyrën e hetimit dhe të gjykimit të procesit penal ndaj gardistëve të dënuar me dënime të shkurtra nën akuzën se hapën zjarr ndaj protestuesve.

“Kërkimi i dëmshpërblimit është vetëm një prej aspekteve të ndjekura për çështjen e 21 janarit nga Res Publica me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Paralelisht vijojnë të ndiqen dy çështje të nisura në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila gjatë vitit 2016 nisi shqyrtimin e çështjes së regjistruar që në vitin 2012 dhe pak javë më parë regjistroi edhe një¬ çështje tjetër me kërkues familjet Myrtaj, Veizi dhe Deda, të cilët godasin mënyrën e hetimit dhe të gjykimit në procesin penal. Në Gjykatën Evropiane do të shqyrtohet kuadri ligjor i kohës, planet operacionale të menaxhimit të demonstratës, si dhe problematika e procesit penal, i kritikuar si një proces jo i rregullt ligjor,” thuhet në deklaratë.

“Vendimet e Gjykatës Administrative,përmes një arsyetimi të drejtë, pranuan se vrasjet e 21 janarit ishin krim shtetëror dhe Garda e Republikës është përgjegjëse për vrasjen e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës,  Faik Myrtaj, si dhe djalit të tij Bardhosh Myrtaj. Qeveria reagoi pa vonesë në ekzekutimin e vendimeve çka jep shpresë se mund të ketë vullnet që vëmendja të drejtohet edhe nga drejtësia e mohuar në procesin penal, për të parë mundësitë e hetimit të çdo detaji të anashkaluar deri tani” u shpreh Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i qendrës Res Publica.

Avokatët e familjeve nisën në vitin 2014 negociata të drejtpërdrejta me qeverinë e kryeministrit Edi Rama për pranimin e përgjegjësisë së shtetit për vrasjet si dhe për përcaktimin përmes negocimit të masës së dëmshpërblimit. Qeveria e Kryeministrit Edi Rama refuzoi të arrinte në një kompromis ndërsa i pyetur nga mediat mohoi të ketë pasur negociata. Por avokatët zbuluan pas mohimit të Ramës, letërkëmbimet dhe aktet e negociatave.

Pas refuzimit të qeverisë, avokatët iu drejtuan gjykatave administrative të cilat përmes katër vendimeve përcaktuan masën e dëmshpërblimit që duhej të paguante shteti. Sipas avokatëve, tre padi të tjera janë ende në proces dhe pritet të përfundojnë në muajin shkurt.

Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, thekson se ky proces vlen si histori suksesi e shoqërisë civile që nuk u ndal derisa u bë e mundur dhënia e drejtësisë në proceset civile, ndërsa shpreson në një vendim të drejtë nga Gjykata Evropiane për shkeljet e konstatuara në procesin penal. “Gjykatat vendase treguan se në Shqipëri ka shpresë që gjykatat të mbajnë një standard të lartë gjykimi, duke mbajtur parasysh praktikën e Gjykatës Evropiane në vlerësimin e rëndësisë së të drejtës së jetës si një prej të drejtave më themelore të njeriut.” shtoi ai.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat