Forcat e Armatosura hapin rrugën në fshatin e izoluar prej 2 muajsh

Shqipëria

Forcat e Armatosura hapin rrugën në fshatin e izoluar prej 2 muajsh

Më: 22 janar 2017 Në ora: 13:22
Ilustrim

Forcat e Armatosura të Shqipërisë përfunduan punimet për hapjen e rrugës rurale të fshatrave Kurdari dhe Kurqelaj në Bashkinë e Klosit, e cila ishte e bllokuar që prej dy muajsh për shkak të rrëshqitjeve të dherave si pasojë e reshjeve të shiut të muajit nëntor të vitit të shkuar.

Në përgjigje të kërkesës së pushtetit lokal, u zhbllokua pjesa e shembur, si dhe u sistemuan rreth 3 km të tjera të kësaj rruge, duke rivënë në funksion edhe një urë “bailey” të ndërtuar më parë nga Forcat e Armatosura.

Në përfundimin e këtyre punimeve ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila shoqërohej nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve gjeneral brigade Dedë Prenga dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli përkujtoi 96-vjetorin e krijimit të armës së Xhenios duke falënderuar efektivët e këtij batalioni, dhe duke përmendur punën e kësaj force gjatë viteve të fundit.

Forcat e Armatosura mbeten të angazhuara në hapjen e rrugëve rurale të bllokuara nga bora në veri dhe në jug të vendit, si dhe në shpërndarjen e ndihmave në këto zona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat