Akti Normativ i buxhetit 2016, Ahmetaj: Është ruajtur niveli i defiçitit buxhetor

Shqipëria

Akti Normativ i buxhetit 2016, Ahmetaj: Është ruajtur niveli i defiçitit buxhetor

Më: 23 janar 2017 Në ora: 14:28
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj

Akti normativ i miratuar nga qeveria në fund të muajit dhjetor ndryshoi për herë të dytë buxhetin e shtetit brenda vitit.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u shpreh gjatë prezantimit të Aktit Normativ në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se pavarësisht ndryshimeve është ruajtur niveli i defiçitit buxhetor, ndërsa të ardhurat janë realizuar në masën 98 %.

Me ndryshimet që iu bënë buxhetit, përmes këtij Akti Normativ, sipas ministrit Ahmetaj, janë shlyer të gjitha detyrimet e prapambetura të krijuara rishtaz ndaj kompanive private.

Ish ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se Akti Normativ i sjellë nga qeveria ka karakter elektoral, ku i referohej konkretisht “paketës së solidaritetit”.

Akti normativ u miratua nga qeveria në muajin dhjetor me qëllim rishpërndarjen e fondeve brenda buxhetit dhe financimin e ‘paketës së solidaritetit’ për pensionistët dhe shtresat në nevojë në fund të vitit.

Katër miliardë lekë u akorduan për shpërblimet e fundvitit, 450 milionë lekë për shlyerjen e dëmshpërblimeve nga fatkeqësitë natyrore dhe 142 milionë për shlyerjen e detyrimeve për mirëmbajtjen e rrugëve.

Ndërkohë, 3.66 miliardë lekë u alokuan për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për kontratat e punimeve në infrastrukturë. 3.3 miliardë lekë të tjera u dhanë për Fondin e Zhvillimit të rajoneve, për t’u investuar në infrastrukturën e rrugëve rurale.

Akti normativ u botua në fletoren zyrtare më datë 20 dhjetor dhe, sipas Kushtetutës, ai duhet të miratohet nga Kuvendi brenda 45 ditësh për të marrë fuqi të plotë ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat