Gjoba 500 mijë euro, biznesmeni përballë Shullazit dhe ushtarëve të tij

Shqipëria

Gjoba 500 mijë euro, biznesmeni përballë Shullazit dhe ushtarëve të tij

Më: 24 janar 2017 Në ora: 08:55
Emiljano Shullazi

Gjykata e Krimeve të Rënda pranon kërkesën e prokurorisë që në datën 27 janar 2017, në orën 11:00, të përballë Emiljano Shullazin me biznesmenin Ylvi Beqja, i vetmi që ka pranuar deri tani të dëshmojë për gjobëvëniet.

Ka qenë gjyqtari Dritan Hallunaj që ka pranuar “kërkesën penale” të prokurorisë për mbajtjen e seancës për “sigurim prove” paraditen e datës 27 janar 2017. Në këtë seancë gjykata, e cila do të shqyrtojë edhe dosjen e Emiljano Shullazit dhe personave të akuzuar si anëtarë të grupit të tij, do të dëgjojë krejt dëshminë e biznesmenit Ylvi Beqja, i cili në hetimet paraprake ka pretenduar se i janë marrë me dhunë e kërcënime fizike e me armë, më shumë se 500 mijë euro. Gjykata e Krimeve të Rënda do ta dëgjojë dëshminë e biznesmenit në të njëjtën sallë, ku janë lajmëruar për të qenë të pranishëm edhe shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja. 

Gjatë kësaj seance, sipas procedurës, të akuzuarit për gjobëvënie në bashkëpunim do të kenë të drejtën që vetë ose përmes avokatëve t’i drejtojnë pyetje biznesmenit e po ashtu, edhe të kërkojnë saktësime e shpjegime, e madje edhe ta kundërshtojnë atë. Procedura e sigurimit të provës është një veprim i njohur dhe i aplikuar edhe më parë nga ana e prokurorisë, por ajo ka disa arsye specifike. Në rastet e kaluara, kjo procedurë është ndjekur kur ka qenë rreziku që dëshmitari të ndryshojë thëniet nga presionet e kërcënimet, por edhe në raste kur siguria e dëshmitarit është e kërcënuar apo kur personi që dëshmon, personalisht ose me mbrojtje nga shteti, do të largohet në një shtet tjetër për arsye sigurie.

Në të gjitha këto raste, prokuroria ka kërkuar sigurimin e dëshmisë në mënyrë që ajo të përdoret si provë gjatë procesit, pavarësisht se ku ndodhet dëshmitari. Biznesmeni Ylvi Beqja ka qenë i vetmi që ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda e të dëshmojë në lidhje me 550 mijë euro, të cilat i janë marrë, siç thotë ai, nga Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij bashkë me një pjesë të pronësisë së ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Ngjarjet kanë ndodhur në vitin 2014, pasi Beqja ishte takuar me Shullazin në makinën e tij të blinduar në Tiranë diku te “21 Dhjetori” dhe i kishte kërkuar ndihmë për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit. Pas këtij momenti, Shullazi ka kërkuar 20 për qind të pronës së ish-hotel “Vollgës” dhe sipas dëshmisë, edhe shuma monetare, pasi në total Beqja ka pretenduar se i ka dhënë 555 mijë euro, nga të cilat 400 kesh dhe 155 mijë me çeqe bankare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat