Të gjitha gjobat e taksat që falen për bizneset dhe makinat

Shqipëria

Të gjitha gjobat e taksat që falen për bizneset dhe makinat

Më: 24 janar 2017 Në ora: 09:14
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Subjektet të cilët para vitin 2011 nuk kanë paguar detyrimet në shtet, qofshin taksa vendore apo të tjera do të amnistohen.  Megjithatë dhe për ta nuk do të falet çdo faturë. Ministria e financave ka paraqitur për miratim projektligjin, e cila e ndan procesin e amnistisë para vitit 2011 dhe pas këtij viti e deri më 31 dhjetor 2016. Në çdo rast, ajo që do të jetë e detyrueshme për tu paguar mbeten sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore.

Para vitit 2010

Regjistrat e tatimeve do të pastrohen nga të gjitha subjektet që kanë taksa të papaguara para këtij viti. Kjo edhe në rast se bizneset janë mbyllur apo çregjistruar. Por se në momentet që kërkohet një dokument, administratori i këtyre kompanive rezulton të jetë debitor. Nga ana tjetër dhe këto subjekte do të jenë të detyruar të paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në rast se kanë të papaguara më parë. Dhe në këtë rast ministria ka pranuar të falë kamatëvonesat por dhe gjobat. Ekspertët shprehen se pasi kanë kaluar 6 vite nuk mund të presësh që të grumbullosh këto detyrime. Madje shpesh në zyrat e tatimeve këto situata sjellin dhe përplasje me palët e interesuara.  Në sistemin e amnistisë do të jenë dhe taksat vendore të papaguara, kjo duke falur dhe gjobat dhe kamatëvonesat, të para vitit 2010.

Pas vitit 2010

Porsa i përket dënimeve administrative të krijuara nga data 1 janar 2011 deri në 31 dhjetor 2016, do të falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat, por me kushtin që të paguhen tatimet, taksat apo kontributet shëndetësore dhe shoqërore. Menjëherë pas miratimit të këtij vendimi, bizneset do të kenë gjashtë muaj kohë për të paguar detyrimet. Në rast të kundërt, dënimi administrativ do të jetë në fuqi dhe subjekti do të paguajë veç taksat dhe kontributet por dhe kamatëvonesat si dhe gjobat. Në projektligj parashikohet e njëjta situatë dhe për taksat vendore, ku çdo faturë e papaguar pas 1 janarit 2011 duhet të shlyhet e plotë por pa kamatëvonesë. Në amnisti do të përfshihen dhe gjobat për mos deklarimin në kohë të punëmarrësve apo dhe të mos paraqitjes në kohë të bilanceve. Mësohet se këtu do të përfshihen dhe gjobat që u vendosën gabimisht në sistem dhe që prekën një numër të lartë subjektesh. Megjithatë në ligj përcaktohet se deri në qershor të këtij viti, subjektet duhet të paraqesin listën e punonjësve.

Dogana

Në procesin e aministisë do të përfshihen dhe doganat. Në draft parashikohet fshija nga regjistrat të detyrimeve të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2010. Po ashtu fshihen detyrimet e papaguara në doganë lidhur me produktet e duhanit deri në datën 31 dhjetor 2016. Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga 1 janari 2011 deri 31 dhjetor 2014, fshihen, me kusht që  brenda 6 muajve të paguhet i plotë detyrimi  i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese. Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet, falen me kusht që  brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi  i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat.

Kompensimi i detyrimeve debitore

1.Subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër, përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar.

Në rastet kur, teprica nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit dhe kamatëvonesës së papaguar atëherë duhet të kryhet pagesa për pjesën e mbetur sipas nenit 6 dhe më pas bëhet fshirja dënimeve administrative.


Përcaktimet e këtij neni për kompensimin zbatohen automatikisht pa kontroll, përveç rasteve të parashikuara në pikën 1 të nenit 11 të këtij ligji, për të cilat ky nen zbatohet kur subjekti heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.
Sipas këtij neni, kompensimit nuk i nënshtrohen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.


Pikat e plota të amnistisë së re

Detyrimet tatimore, që i përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014;

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, janar 2011 deri dhjetor 2014;

Taksat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014;

Detyrimet tatimore përfshirë tatimin, kontributin, taksën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative të çregjistruar  deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;

Dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve.

Gjobat për dorëzim të vonuar të vendimit për dorëzimin me vonesë të pasqyrave financiare.

Gjobat për mosdeklarim në afat të deklaratave, me kusht që të dorëzohet deri më 30.06.2017.

Gjobat për shoqëritë e autorizuara, të evidentuara nëpërmjet akt konstatimit deri me datën 31.12.2016.

Dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin për procedurat tatimore në RSh”, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.

Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2010.

Fshihen detyrimet e papaguara në doganë lidhur me produktet e duhanit deri në datën 31 dhjetor 2016.

Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga 1 janari 2011 deri 31 dhjetor 2014, fshihen,  me kusht që  brenda 6 muajve të paguhet i plotë detyrimi  i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese.

Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet, me kusht që  brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi  i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat.

Ja taksat që falen për makinat

Pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar taksat para vitit 2010 dhe duan të mos çregjistrojnë mjetet, por t'i mbajnë ato në qarkullim, duhet të paguajnë taksat për periudhën nga janari i vitit 2011 deri tani. Pronarët e këtyre makinave do të përfitojnë faljen e gjobave dhe kamatave për periudhën janar 2011 deri në dhjetor 2014. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor ka nisur punën për hartimin e rregullores, e cila do të zbatohet menjëherë pas miratimit në qeveri të projektligjit "Për pagesën dhe fshirjes e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore".

Drejtori i DPSHTRR-së, Ylli Spahiu në një prononcim për “Shekulli”-n shprehet se projektligji është hartuar përmes diskutimeve të institucionit që ai drejton dhe Ministrisë së Financave dhe me formën që ka marrë është pro zyrtarizimit të tij. “Tashmë drafti është publik dhe publiku është njohur me të. Presim të kalojë të gjitha procedurat deri sa të bëhet zyrtar, e më pas mund të fillojmë të komentojmë”, thotë Spahiu.

Sipas projektligjit, "Personave të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij u fshihen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen", thuhet në projektvendimin e Ministrisë së Financave, i cili ndodhet në qeveri. Përveç sa parashikohet në këtë ligj, në përputhje me përcaktimet sipas këtij neni, hiqen nga qarkullimi të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për të cilat nuk është kryer asnjë veprim me këto mjete pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat