Koço Kokëdhima: E ftoj Bashën të bëhet pjesë e “Zgjidhja”

Shqipëria

Koço Kokëdhima: E ftoj Bashën të bëhet pjesë e “Zgjidhja”

Më: 24 janar 2017 Në ora: 09:51
Koço Kokëdhima

Thirrja që bën kreu demokrat Lulzim Basha ku fton qytetarët të japin mendimin e vet për kandidatët e Partisë Demokratike në këto zgjedhje, prej javësh është prezantuar nga politikani Koço Kokëdhima, i cili ka nisur brenda Partisë Socialiste lëvizjen “Zgjidhja”. Por ndryshe nga propozimi i Bashës, politikani Kokëdhima në alternativën e tij shkon edhe më tej pasi kërkon që kandidatët për deputetë jo vetëm të propozohen, por dhe të zgjidhen nga populli përmes sistemit primar siç aplikohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një status në Facebook, Kokëdhima i kërkon kreut të demokratëve që të bashkohen dhe të kërkojnë në Parlament që të aplikohet sistemi i zgjedhjeve primare, që kandidatët e një force politike të zgjidhen nga populli. Reagimi i Kokëdhimës, erdhi pasi partia kryesore e opozitës bëri publike nismën që baza e partisë të sjellë propozimet për kandidatët për deputetë, që sipas ish-deputetit, është një kopje e nismës së prezantuar nga Kokëdhima, dy muaj më parë, “Unë zgjedh deputetin që dua”. Në reagimin e tij, Kokëdhima, thotë se “është koha që t’ua imponojmë primaret kryetarëve që i kanë kthyer partitë në çifligje të tyre!”. Statusi i plotë “Partia Demokratike këto ditë është duke predikuar se po u kthen të drejtën qytetarëve shqiptarë, që t'i caktojnë ata vetë kandidatët për deputetë.

Z. Basha perifrazon sfidën e duhur, por gjen zgjidhjen e gabuar. Ai e fton elektoratin që të bëjë propozime me shkrim për kandidatët për deputetë, por në fund do të jetë “partia”, që zgjedh. Kjo është qesharake. Ka vetëm një rrugë për t'i kthyer të drejtat popullit sovran. Atë e praktikon demokracia më e madhe në botë, SHBA-të, dhe ajo është rruga e zgjedhjeve primare. Populli duhet të zgjedhë me votë dhe jo thjesht të propozojë. Kjo është teza e lëvizjes “Zgjidhja” në PS. Z. Basha thotë: populli të propozojë, kryetarët do të zgjedhin! E ftoj kryetarin e partisë më të madhe në opozitë, z. Basha, që të bëhet pjesë e “Zgjidhjes” sime dhe të mbrojë në parlament draftin që “Zgjidhja” propozon për plotësimin e ligjit mbi partitë politike, me detyrimin e mbajtjes së zgjedhjeve primare. Vetëm kjo jep garanci që kandidatët në zgjedhje të dalin nga populli. Çdo ligjërim tjetër është kohë e humbur. Midis fjalëve dhe veprave, z. Basha ka zgjedhur që të bëjë vetëm fjale dhe t’u hedhë njerëzve hi syve. Është koha që t'ua imponojmë primaret kryetarëve që i kanë kthyer partitë në çifligje të tyre!”.

Qëndrimi i Bashës 

Në një postim në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bën thirrje qytetarëve që të votojnë online për të propozuar kandidatët e tyre për deputetë. Në faqen zyrtare të PD-së, Basha tha secili mund të propozojë kandidaturën e tij. Këto kandidatura do t’i nënshtrohen fillimisht verifikimit dhe kontrollit të figurës dhe pastaj mes tyre do të përzgjidhen ato që do të përbëjnë listën zgjedhore të PD-së në të gjithë vendin. “Para disa ditësh ne nisëm përzgjedhjen e hapur të kandidatëve për deputetë nga vetë njerëzit. Demokratët dhe çdo qytetar tjetër mund të propozojnë përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Mbi këto propozime do përzgjidhet lista e kandidatëve demokratë për deputetë, të cilët do t’i nënshtrohen një procesi të Vetting-ut të figurës, profesionalizmit dhe të së shkuarës komuniste. Është vetëm hapi i parë i një kthese të madhe politike për Shqipërinë. Për herë të parë në historinë e vendit përfaqësuesit e popullit do të përzgjidhen nga vetë populli në çdo hap të procesit. Kështu garantohet se pushteti të burojë vërtetë nga njerëzit. Dua t’u bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi që të bëhen pjesë e këtij ndryshimi. E di që shumë prej jush me të drejtë jeni mosbesues apo dyshues. E di që shumë prej jush keni humbur shpresën. Por, ka vetëm një mënyrë për të rikthyer shpresën dhe besimin: ushtrimi i të drejtës për t’u vetëqeverisur. Ndaj përfshihuni në këtë proces duke propozuar kandidatin tuaj për deputet”, shkruan Basha.

Balla: Opozita të kthehet në komision. PD: Garantoni votim elektronik

Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk mblidhet për shkak të bojkotit të opozitës dhe për këtë, bashkëkryetari Taulant Balla përsëriti thirrjen për kolegët e Partisë Demokratike t’i bashkohen mbledhjeve të këtij komisioni. Balla tha se çështje të rëndësishme si ligji për financimin e partive dhe ashpërsimi i masave në kodin penal për shkelësit e ligjit, duhet të marrin zgjidhje. “Ne të përgatisim sa më shpejt ndryshimet në ligjin për partitë politike lidhur me transparencën e financave të partive, por edhe me transparencën e shpenzimeve të fushatave zgjedhore. Kemi një material shumë të mirë, përgatitur nga një ekspert i ofruar nga Këshilli i Europës sikur se është Quentin Reed, dokument i cili tashmë është një material pune në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Prej atij dokumenti, duhet të nisemi për të përgatitur amendamentet që duhen bërë në ligjin e partive politike. brenda kësaj jave komisioni të diskutojë ndryshimet që duhen bërë në Kodin Penal përsa i përket përshkallëzimit, pra rritjes së dënimit të veprave penale që lidhen me korrupsionin zgjedhor”, tha Balla. Nga Komisioni i Sigurisë, deputeti Flamur Noka përsëriti kërkesën e opozitës për votimin elektronik, si e vetmja formë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. “Mirë do ishte të merreshim pak dhe të sigurojë kjo qeveri edhe votimin elektronik sepse jo po thoni që e keni future vendin në një epokë të re dixhitale. Atëherë do t’ju kërkonim të merrni masa që mos ndodhë krim elektoral si ai i zgjedhjeve lokale, si ai i Dibrës, Korçës apo edhe Kolonjës”, tha Noka. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka afat deri në 9 shkurt ndërsa Partia Demokratike e ka bojkotuar duke e kushtëzuar me garantimin e votimit dhe numërimit elektronik .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat