Ndahet nga jeta ish-Ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan!

Shqipëria

Ndahet nga jeta ish-Ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan!

Më: 24 janar 2017 Në ora: 09:54
Willy Kamsi

Ka ndërruar jetë në moshën 91- vjeçare ish- Ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan Willy Kamsi.

Ish- Ambasadori mësohet se është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës. Gjatë jetës së tij veprimtaria e tij u shqua në hullitë e arsimit, etnografisë, diplomacisë, bibliografisë.

Kush është Willy Kamsi?

Willy Kamsi ka lindur në Bari të Italisë në dhjetor të vitit 1926.Djali i vetëm i Gjonit/Linit të Palokë Kamsit dhe Rozës së Pjetër Daragjatit.

Willy u rrit në mërgim, prej nga erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botnore, në qershor të vitit 1943. Shtëpia e tij në Bari ishte një votër e ngrohtë për patriotë dhe politikanë shqiptarë, aty u përshkuan: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, mons. Bumçi, dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Bahri Omari, Sotir Gjika, Xhevat Kortsha e shumë të tjerë.

Vendosja në kryeqytet dhe mbarimi i luftës do të sillnin ndryshime të papara në jetën e familjes Kamsi. Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet prej Tiranës dhe detyrohen të shkojnë në Shkodër.

Vendi ynë asokohe kalonte vitet ma të stuhishme të terrorit të kuq, por intelektuali Gjon Kamsi, ekonomist për nga profesioni, i mbrujtur me ideale të larta dhe i pajisur me karakter të papërkulur nuk u ndal por e çoi zërin kundër padrejtësive të ndryshme siç ishte ideja e prishjes së varreve monumentale katolike të Shkodrës. Këta veprime do të pasoheshin prej bastisjesh dhe prej paralajmërimesh serioze.

Punoi si bibliotekar pranë Institutit të Naltë Pedagogjik në Shkodër.

Një prej miqve të tij më të mëdhenj, Át Viktor Volaj; ish-sekretar personal i Át Anton Harapit dhe komentues i Fishtës – çmonte tek Kamsi mendjen e tij logjike dhe kujtesën mirandoliane që i jepnin vlerë kërkimeve të tija të censhme në lëmin e historisë mesjetare. Por ai vlerësohej edhe për përkushtimin për me gjetë dhe me ble sa më shumë vepra për bibliotekën e Institutit.

Por krahas punës së bibliotekarit Willy Kamsi është marrë edhe me studime historike dhe bibliografike. Ka botuar një seri artikujsh, ka përkthyer vepra dhe ka disa punime të gatshme për botim. Mbas rënjes së komunizmit, në vitin 1993, ai u emërua prej qeverisë demokratike ambasador i parë i Republikës shqiptare pranë Selisë së Shenjtë. E kreu atë detyrë deri në dhjetor të vitit 1996 me një sens të lartë përgjegjësije.

Edhe pse i trajtuar në mënyrë të padenjë prej qeverisë që përfaqsonte: pa rezidencë, pa përfaqsi, pa makinë, pa frak për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare: W. Kamsi e nderoi Shqipërinë përpara gjithë përfaqsuesve të tjerë diplomatikë dhe para Selisë së Shenjtë. Nuk u ankua asnjëherë dhe nuk foli asnjë gjysëm fjale kundër Shtetit që përfaqsonte por u mundua me e rritë ndjeshmërinë e qarqeve diplomatike ndaj çështjes shqiptare.

Willy Kamsi jeton në Shkodër i përkushtuar i tëri mbas botimit të disa veprave të randësishme siç është treguesi i plotë i revistave «Hylli i Dritës», «Leka», «Albania» e Konicës, «Shêjzat» si edhe i disa materialeve me rëndësi historike, siç janë «Ditari» historik i Shuk Gurakuqit, «Kujtimet» e Gjon Kamsit, një përmbledhje të studimeve të veta me karakter historik. Merret dhe me histori, monumente e arkeologji, me gjuhë shqipe, sidomos me etimologji të toponomastikës historike e fusha të tjera shkencore[1].

Kohët e fundit ka dorëzuar në shtyp përkthimin e veprës së Át Jak Marlekajt, profesor për shumë dekada në Universitetin e Barit, «Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij» të pajisun me treguesin e plotë të emnave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat