Institucionalizohet Urdhri i Psikologut, një garë mes profesionistësh për të garantuar standarde të larta shërbimi ndaj qytetarëve

Shqipëria

Institucionalizohet Urdhri i Psikologut, një garë mes profesionistësh për të garantuar standarde të larta shërbimi ndaj qytetarëve

Më: 24 janar 2017 Në ora: 11:29
Asambleja e Parë e Psikologëve

Profesioni i Psikologut tashmë i është shtuar listës së profesioneve të rregulluara që në Gusht të vitit 2014.

Ligji për Urdhrin e Psikologut u miratua dhe hyri në fuqi në Maj të vitit 2016, pas një procesi të gjatë diskutimesh mes Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë me grupet e interesit, me një rrjet të gjerë psikologësh nga fushat e shëndetësisë, arsimit, shërbimeve psikologjike, të gjykatave, organizatave të shoqërisë civile, me përvojë në mësimdhënie.

Kësaj jave, mbahet për herë të parë në vendin tonë Asambleja e Parë e Psikologëve.

Kjo Asamble e cila mblidhet më 28 Janar, do të institucionalizojë Urdhrin e Psikologut dhe do të ngrejë Organet kryesore,  Asamblenë Kombëtare; Këshilli Kombëtar;  Presidenti i Urdhrit dhe  Komisioni Etik i Gjykimit Disiplinor Profesional.

Në Regjistrin e Parë të Psikologëve janë rrethe 890 psikologë dhe profesionistë të kësaj fushe të cilët nëpërmjet votës së fshehtë, do të zgjedhin jo vetëm Presidentin e Urdhrit por edhe bordin drejtues.

Bazuar në ligjin për Urdhrin e Psikologut, në Nenin 15 citohet që Këshilli Kombëtar i Urdhrit është organi ekzekutiv i Urdhrit, i cili përbëhet nga 15 anëtarë.

Anëtarë të Këshillit Kombëtar janë, Presidenti i Urdhrit; Nga një përfaqësues i ministrive përgjegjëse për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen dhe çështjet sociale;  Dy pedagogë të psikologjisë, me gradë shkencore Profesor, Prof.Asociuar dhe Doktor Shkencash, që punojnë në institucione të arsimit të lartë, nga universitetet publike dhe private;  Gjashtë psikologë që punojnë në shkolla, spitale, burgje, institucione komunitare, gjykatë, në zyra apo agjenci private, institucione rezidenciale, si institucione varësie si dhe Dy anëtarë nga Shoqata e Psikologëve.

Në të gjithë vendin është zhvilluar një fushatë intensive sensibilizuese, janë mbajtur takime dhe konsultime të vazhdueshme me psikologë dhe stafe akademikësh në të gjitha Universitetet e vendit duke i dhënë kështu një rëndësi të madhe institucionalizimit të Urdhrit të psikologut.

Me një eksperiencë 12 vjeçare si psikologe pranë gjykatës, Dr.Valbona Treska si dhe Silvana Kola-Loka janë kandidate për Presidente të Urdhrit të Psikologut.

Treska e konsideron emergjente forcimin e pozicionit të psikologut në shkollë dhe në gjykatë, ndonëse nga viti në vit ka një rritje të kërkesa dhe cilësia për shërbim të psikologut.

Nëse në vitin 2004 kanë qenë rreth 14 psikolog të punësuar në shkollat e Tiranës, sot numërohen më shumë se 40 psikologë.

Profesionistë të fushave të ndryshme të psikologjisë janë bërë pjesë e garës për Anëtarë të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut ku spikasin emra si:  Jeta Toçila Shkurti,  psikologe me ekspertizë shumë vjeçare në gjykatë, prokurori, polici dhe shërbim prove; Dr. Skerdi Zahaj, psikoterapist e pedagog në Universitetin e Tiranës; Dr. Blerta Bodinaku, psikologe klinike, e cila ka sjellë një test të standardizuar për popullatën shqiptare; Redina Balla (Sulstarova)- psikologe pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me një përvojë edhe si psikologe shkolle; Sonila Mecaj me një përvojë prej 17 vjetësh në shërbime publike dhe private të shëndetit mendor; Naureda Hasani, psikologe ligjore e punësuar tek Klinika Ligjore e të miturve; Elvana Agushi me një eksperiencë të gjatë në shëndetin mendor; Valbona Habili(Sauku)-pedagode; Arjana Mucaj, Profesore e Asociuar; Brunilda Laboviti pjesë e stafit akademik, Miranda Doksani ( Ana Duka);  Senada Bajraktari-Kaso, Enila Cenko, etj. 

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka theksuar se domosdoshmëria për të garantuar standarde te larta në shërbimet psikologjike, profesionale dhe sociale nga psikolog të çertifikuar, vjen nga nevoja për të pasur shërbime më të mira për qytetarët në çdo moment.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat