Lajme të mira për Shqipërinë nga FMN, por dhe një këshillë

Shqipëria

Lajme të mira për Shqipërinë nga FMN, por dhe një këshillë

Më: 24 janar 2017 Në ora: 12:10
Anita Tuladhar, gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj

'Ekonomia shqiptare është në rrugë të mira, dhe financat paraqiten të qëndrueshme'.

Këtë e ka shprehur ditën e sotme Shefja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anita Tuladhar, gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj. Duke u ndaluar tek treguesit kryesore, Tuladhar tha se këto janë të dhënat nga shqyrtimi i fundit në kuadër të programit të FMN-së, për të cilin është rënë dakord me qeverinë shqiptare. 

Përfaqësuesja e FMN u ndaj edhe tek niveli i borxhit publik, i cili sipas sa vijon të mbetet i lartë, edhe pse ka filluar të bjerë. Nisur nga këto terma ekonomikë, Tuladhar tha se qeveria shqiptare duhet të vijojë me përmbushjen e objektivave dhe me realizimin e reformave strukturore. “Javën e fundit ekipi i FMN ka kryer këtë proces shqyrtimi, i fundit në kuadër të këtij programi. Kemi diskutuar me qeverinë shqiptare edhe për prioritetet e politikave që do të ndiqen pas programit. 

Vërej se programi ekonomik vijon të ecë sipas planit, ka arritur objektivat. Janë përmbushur shumica e objektivave të synuar. Pavarësisht disa vonesave, reformat strukturore janë në rrugë të mbarë. Vërej se janë përmbushur objektivat kryesore të programit, i cili e ka vendosur ekonominë shqiptare drejt financave publike solidare, zhvillimit të qëndrueshëm. Vlerësojmë punën e qeverisë për të përmbyllur me sukses këtë program. Me mbylljen e programit do të jetë thelbësore që Shqipëria të angazhohet për fuqizimin e perspektivave për rritje ekonomike, dhe vijimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Ekipi i FMN parashikon që rritja e PBB për 2016 parashikohet të ketë qenë 3.4 përqind, dhe parashikohet të përshpejtohet në 4 % në periudhën afatmesme. 

Në vitin 2016 inflacioni arriti në 1.3 %, dhe pritet të vijojë të rritet deri sa të arrijë normën e synuar prej 3 % në 2018. Edhe deficiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet nga 12 % në 13.3 % të PBB. Të dhënat paraprake tregojnë se bilanci i 20616 ka arritur një balancë primare pozitive. Të ardhurat ishin disi nën plan për shkak të një rënie të lehtë të fitimeve nga arkëtimi i TVSH. Borxhi publik vijon të mbetet i lartë, por ka filluar që të bjerë. Qeveria shqiptare ka rënë dakord të arrijë një balancë primare prej 0.7 të PBB. 

Qëndrimi për një politike monetare akomoduese të BSh është pozitiv dhe përputhet me pritshmëritë. Sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm, likuid, kredia familjare po e merr veten. Por po frenohet huadhënia për bizneset. Për t’u dhënë rëndësi kredive me standarde me rëndësi parësore mbetet ligji për falimentin dhe ligji për përmbaruesit privatë”, u shpreh Tuladhar. Sakaq, përfaqësuesja e FMN është ndalur edhe prioritetet që duhet të ketë qeveria shqiptare sa i takon ekonomisë. Ndonëse theksoi se është arritur progres, Tuladhar theksoi se duhet të punohet më tej.“Sa i takon së ardhmes do thonim së prioritet është fuqizimi i të ardhurave, të ulet niveli i kredive nën standard, dhe të çohen përpara reformat strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit. Në këto fusha është arritur progres i rëndësishëm, por duhet punuar më tej për t’i çimentuar këto arritje”, e mbylli fjalën e saj shefja e misionit të FMN për Shqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat