Nishani pret në takim, zv/ministrin e Jashtëm italian

Shqipëria

Nishani pret në takim, zv/ministrin e Jashtëm italian

Më: 24 janar 2017 Në ora: 12:20
Pamje nga takimi i Nishanit me zv/ministrin e Jashtëm italian, Vincenzo Amendola

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, zotin Vincenzo Amendola, i cili ndodhet në Tiranë në kuadrin e përgatitjeve të Samitit të ardhshëm për Ballkanin Perëndimor e që pritet të zhvillohet në Romë, si vijim i Procesit të Berlinit.

Presidenti Nishani përfitoi nga rasti të rishprehte ngushëllimet për jetët e humbura së fundmi nga orteku i borës në Itali, si dhe solidaritetin e shqiptarëve me Qeverinë dhe popullin italian, që prej disa muajsh po vijon të goditet nga tërmete dhe katastrofa të ndryshme natyrore.

Presidenti Nishani përshëndeti gjithashtu vizitën e zotit Amendola në Tiranë dhe vëmendjen që pala italiane tregon ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar iniciativën italiane për të organizuar takimin e Ambasadorëve të saj të rajonit në Tiranë. Kreu i Shtetit e vlerësoi angazhimin konkret të Italisë për ta mbajtur rajonin e Ballkanit Perëndimor në fokus të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian, si dhe mbështetur rajonin me të gjitha instrumentet e mundshme të në këtë fazë të procesit të integrimit evropian. Presidenti Nishani theksoi se projekti evropian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për vendin, pasi Shqipëria dhe shqiptarët besojnë në vlerat e këtij projekti.

Kreu i Shtetit, i cili vetëm pak javë më parë zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për miqësinë, ndihmën, partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në momentet e tyre më të vështira. “Marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë thjesht marrëdhënie mes dy vendeve fqinje apo partnere, por janë shumë më tepër se kaq. Ato janë shumë të veçanta dhe shumë dimensionale, të cilat duhet të vijojnë të trajtohen me vëmendjen maksimale për të shfrytëzuar më së miri të gjitha hapësirat e mundshme të bashkëpunimit, si politik ashtu edhe ekonomik e kulturor.” – u shpreh Presidenti Nishani. Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani përshëndeti nxitjen e bashkëpunimit kulturor dhe arsimor mes dy vendeve, si dhe rifillimin e procesit të mësimit të gjuhës shqipe në Universitetin Sapienza të Romës.

Presidenti Nishani shprehu gjithashtu besimin se Samiti i Romës do të jetë një vijim i suksesshëm i Procesit të Berlinit, i cili do t’i japë jetë dhe konkretizojë projektet e iniciuara më herët, për zhvillimin dhe ndërlidhjen infrastrukturore dhe energjetike të rajonit dhe vendeve të saj, si dhe ndikuar në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe frymës së pajtimit. “Zhvillimet më të fundit në rajon demonstrojnë se ka ende qarqe me frymë ekstremiste e nacionaliste, që dëshirojnë ta kthejnë rajonin pas në vitet e errëta të konflikteve. Për të ç’kurajuar këto zëra e qarqe, kudo që ato ndodhet, është i dëshiruar dhe i mirëpritur një rol  dhe një angazhim më të madh i Italisë dhe Bashkimit Evropian.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer mes institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit, si në luftën kundër terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, ashtu edhe për menaxhimin e flukseve migratore që shfrytëzojnë hapësirën detare mes dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat