Deputeti i PS-së shpërthen ndaj Greqisë: Shtet racist, simboli i shqiponjës s’përbën rrezik për ju

Shqipëria

Deputeti i PS-së shpërthen ndaj Greqisë: Shtet racist, simboli i shqiponjës s’përbën rrezik për ju

Më: 24 janar 2017 Në ora: 13:05
Rekrutët me origjinë shqiptare që dolën në foto me simbolin kombëtar të shqiponjës në Greqi

Deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj, njëherazi anëtar i Komisionit parlamentar të Sigurisë ka reaguar sot mjaft ashpër ndaj vendimit të autoriteteve greke për të dënuar rekrutët me origjinë shqiptare që dolën në foto me simbolin kombëtar të shqiponjës.

Lutaj, në një postim në Facebook nuk ka ngurruar që ta cilësojë Greqinë një shtet racist ndërsa presionet e Athinës i etiketon të ultas, referuar faktit që jemi dy vende anëtare të NATO-s. 

Postimi i Piro Lutaj 

Është e disata herë radhazi, që shteti racist grek ndërmerr masa të tilla ekstreme ndaj shtetasve të vet, duke mos iu respektuar liritë themelore të parashikuara jo vetëm në konventat europiane e ndërkombëtare, por edhe në legjislacionin e brendshëm të tyre. Bërja e simbolit të shqiponjës nga rekrutët me origjinë shqiptare, nuk kishte asnjë arsye qe të konsiderohej e rrezikshme nga autoritetet greke te Ministrisë së Mbrojtjes.

Është njëlloj sikur autoritetet shqiptare të merrnin masa ndaj dhjetra flamujve grekë, të cilët janë vendosur kudo nëpër banesa të shtetasve shqiptarë, kryesisht në jug të vendit. Megjithatë ky lloj presioni që vjen nga ministri grek i mbrojtjes, është i përsëritur dhe i ulët, e për më tepër ndaj një fqinji dhe homologu antar i NATO-s.

E kuptoj pozitën e vështirë politike të Panos Kamenos, i cili ndodhet në pikiatë elektorale, por kjo nuk e motivon atë në përdorimin e gjesteve të tillë në dëm të reciprocitetit mes dy fqinjve për të realizuar qëllimet e tij personale. Shpresojmë për një zgjidhje diplomatike me qeverinë greke të këtij problemi, dhe mospërsëritjen e tij në të ardhmen. 

Reagimi i tij vjen fill pasi ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos kërkoi dëbimin e të gjithë shqiptarëve që nuk duan të ndihen grekë ndërsa paralajmëroi dënim të ashpër për rekrutët që pozuan me simbolin e shqiponjës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat