Rama: Gati programi i ri për rindërtimin e infrastrukturës rurale

Shqipëria

Rama: Gati programi i ri për rindërtimin e infrastrukturës rurale

Më: 24 janar 2017 Në ora: 15:02
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për programin e ri të rindërtimit që do të lançohet shumë shpejt nga qeveria. Në një takim me krerët lokalë, Rama tha se ky program do të ketë tri shtylla. Ai kërkoi përfshirjen e vendorëve të çfarëdo partie në këtë program.

"Programin e ri të rindërtimit që ne do të lançojmë shumë shpejt me tre shtylla, infrastrukturë rrugore, në këtë rast nacionale, por që do i shërbejë shumë bashkive, infrastrukturë rurale dhe turistike, dhe këtu bashkëpunimi do të jetë i drejtpërdrejtë me bashkitë. Infrastrukturë arsimore për rindërtimin e mbi 10 shkollave që janë në gjendje jo të mirë në territorin e Shqipërisë. Dhe këtu bashkëpunimi me ju është kyç dhe infrastrukturë shëndetësore për ngritjen e 10 poliklinikave moderne në vend dhe një spitali rajonal në Fier”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se ky projekt do të injektojë në ekonominë shqiptare 1 miliard dollarë në harkun e tre viteve të ardhshme. Ndërkaq, duke folur për rilindjen e fshatit, Rama tha se janë mbështetur 136 projekte bashkish. Ai bëri thirrje për përdorimin brenda një viti buxhetor të fondit.

“Kemi financuar një paketë të re me buxhetin e vitit 2017 për 30 projekte që janë paraqitur nga 30 bashki të vendit dhe ky financim përfshin edhe infrastrukturë që prek realisht akse nevralgjike për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të bashkive. Paralelisht me këtë po punojmë për një paketë të dytë që shpresojmë ta vëmë në lëvizje brenda 2017 me BB që të kompensojmë edhe boshllëqe të mbetura nga kjo valë e parë kërkesash për disa bashki të tjetër”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat