Baza Ajrore e Farkës me infrastrukturë të re, ja si duket

Shqipëria

Baza Ajrore e Farkës me infrastrukturë të re, ja si duket

Më: 24 janar 2017 Në ora: 15:48
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli gjatë vizitës në Bazën Ajrore të Farkës

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ishte sot në Bazën Ajrore të Farkës për të parë nga afër investimet e kryera aty përgjatë dy viteve të fundit.

Ministrja Kodheli u shpreh e kënaqur për punën e kryer aty dhe tha se efektivët e Forcës Ajrore do të vijojnë të jenë në vëmendjen e saj të veçantë, puna e të cilëve siç tha ajo, i jep më shumë vlerë investimeve aty. 

“Ky investim do të mbetej i vdekur dhe do të vazhdojë të mbetet i vdekur nëse puna juaj e gjallë, heroike, vetëmohuese, e sakrificës nuk do t’i bashkohej këtij investimi dhe të jetë në funksion të tij.” - theksoi ministrja Kodheli, e cila përfitoi nga rasti të falënderojë edhe në emër të kryeministrit, pilotët dhe teknikët e kësaj baze, për angazhimin e tyre më të fundit gjatë përballimit të situatës së krijuar nga reshjet e borës.

“Falënderimi më i veçantë ju takon ju për gjithë heroizmat që keni bërë, për të gjithë devotshmërinë që tregoni, guximin që tregoni në shërbim të njerëzve dhe qytetarëve. Jeni realisht heronjtë e ditëve tona ndaj unë ju falënderoj dhe ju jam mirënjohëse jo vetëm si ministër i Mbrojtjes, por edhe si qytetare e thjeshtë e këtij vendi. Ju falënderoj nga zemra dhe në emër të gjithkujt që ju i keni shërbyer dhe, mbase nuk i keni marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë falënderimet. Padyshim që një falënderim i veçantë vjen, megjithëse ka ditur ta bëjë në forma të ndryshme, nga kryeministri i vendit, i cili ka pasur një vëmendje të veçantë sidomos në ditët e vështira që ka kaluar Shqipëria me gjithë reshjet e dëborës, përmbytjet apo situatat e një rrezikshmërie të lartë që kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve”, - iu drejtua ministrja Kodheli, pilotëve.

Punimet në Bazën Ajrore të Farkës, të cilat kanë filluar në dhjetor të vitit 2015 dhe pritet të përfundojnë brenda një kohe shumë të shkurtër, janë një investim prej rreth 1,1 milion eurosh i buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Me investimet e reja, Baza Ajrore e Farkës ka tashmë një sistem të ri sigurie duke nisur që nga rrethimi i jashtëm, ndriçimi, e deri te sistemi i mbikëqyrjes 24 orë me kamera. Gjithashtu është rikonstruktuar objekti i klasave të pilotëve, si dhe mensa e tyre. 

Pjesë e këtij investimi janë edhe depot e reja të magazinimit të karburantit, të cilat janë të standardeve të NATO dhe më të sigurtat në Shqipëri. Pas këtyre investimeve, depot e reja në Bazën Ajrore të Farkës, garantojnë karburant për rreth 6 muaj jo vetëm për helikopterët e Forcës Ajrore, por edhe për ata të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat