“Shqipëria ka nevojë për një forcë politike që është motor i vendit”

Shqipëria

“Shqipëria ka nevojë për një forcë politike që është motor i vendit”

Më: 24 janar 2017 Në ora: 19:30
Lëvizja Socialiste për Integrim

Lëvizja Socialiste për Integrim ka organizuar sot disa takime me strukturat në Bashkinë e Kolonjës. Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti theksoi se Shqipëria ka nevojë për një forcë politike e cila të jetë motor i zhvillimit ekonomik me platformat e saj.

“Shqipëria, që të zhvillohet më shpejt, të ecë përpara, ka nevojë për një forcë politike që është motori i vendit. Dhe ky motor i zhvillimit të vendit është vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim”, u shpreh ndër të tjera Panariti.

Duke falënderuar punën e bërë nga strukturat e partisë në Bashkinë e Kolonjës, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, ka theksuar se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike e cila bazohet tek meritokracia dhe se sfida e saj është përmirësimi i vetvetes me qëllim që të jetë sa më pranë qytetarëve.

“Dua të falënderoj strukturat e LSI-së së Kolonjës për punën e mirë, që kanë bërë. Ju në Kolonjë e kaluat një provë, atë të zgjedhjeve lokale ku dëshmuat dhe njëherë, që LSI-ja është një forcë politike e konsoliduar, e cila mishëron më së miri koherencën dhe besnikërinë ndaj interesit qytetar. Kolonja kërkon më shumë vëmendje. LSI-ja është e angazhuar maksimalisht në shërbim të Kolonjës dhe gjithë vendit. LSI është forcë politike e strukturuar dhe meritokracia qëndron në bazën e organizatave të saj. Sfida jonë është përmirësimi i vetvetes me qëllim që të jemi sa më pranë qytetarëve. Politika e LSI-së është e qartë, stabilitet politik dhe qëndrueshmëri për vendin”, tha Braimllari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat