Rama “provokon” grekët me Ali Pashën

Shqipëria

Rama “provokon” grekët me Ali Pashën

Më: 24 janar 2017 Në ora: 21:03
Ali Pashë Tepelena, portret

Me rastin e 195 vjetorit të vrasjes së Ali Pashë Tepelenës, kryeministri Edi Rama e ka përkujtuar atë në rubrikën e përditshme “Amarcord”.

Rama shkruan se revolucioni grek apo revoltat në Bullgari i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre ushtarake e shpirtërore.

Rama: 195 vjet më parë jepte shpirt, jo në shtrat por duke luftuar, Ali pashë Tepelena, Luani i Janinës.

Si personalitet historik, Ali pasha është ndoshta nga të rrallët që përgënjeshtron postulatin e gjithpranuar se historia u jep të drejtë fitimtarëve. Zjarri që ndezi gjeniu gjakësor i vezirit të Toskërisë, e shkrumboi aq keq rretherrotull pushtetin e establishmentit osman, sa në letrat e shkëmbimeve diplomatike, ai cilësohej si “plaga më e tmerrshme e perandorisë”.

Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore.

Shumë i detyrohet Ali pashës edhe ndërgjegjësimi i krerëve shqiptarë, të cilët gjatë mesit të parë të shek. XIX, filluan ta konceptonin përfshirjen në çështjet kombëtare, siç e thotë bukur mirë studiuesi Dritan Egro, “përtej interesit të çifligjeve të tyre”.

Figura e pashait që tronditi Portën e Lartë mbetet padyshim një nga figurat më të diskutueshme të historisë sonë, por çka nuk është diskutuar as nga detraktorët e tij më të mëdhenj, është gjenialiteti i këtij kryeneçi të madh shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat