Gjykata Kushtetuese: Vladimir Kristo nuk ka dhënë dorëheqje

Shqipëria

Gjykata Kushtetuese: Vladimir Kristo nuk ka dhënë dorëheqje

Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 10:53
Gjykata Kushtetuese, Shqipëri

Gjykata Kushtetuese në një njoftim për mediat ka sqaruar lajmin e dhënë në media se njëri prej anëtarëve të kësaj gjykata kishte dhënë dorëheqjen.

Ashtu siç kishte sqaruar edhe vet gjyqtari, Vladimir Kristo, edhe Gjykata Kushtetuese shprehet se ai nuk ka dhënë dorëheqjen përkundër lajmit të dhënë në media, por se atij i ka mbaruar mandati.

Por, sipas Kushtetutës, edhe pse një anëtari të kësaj gjykata i mbaron mandati, ai duhet të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet gjyqtari i ri.

Gjykata Kushtetuese thotë se gjyqtari Vladimir Kristo vazhdon të qëndrojë në detyrë në përputhje me parashikimet kushtetuese.

Njoftimi për mediat:

Gjykata Kushtetuese vëren se në kronikat televizive të datës 31.01.2017 është njoftuar dorëheqja nga detyra e gjyqtarit Vladimir Kristo. Ky lajm është reflektuar më tej edhe në gazetat dhe portalet on line.

Në këtë situatë Gjykata Kushtetuese vlerëson të informojë si më poshtë vijon:

Gjyqtari Kushtetues Vladimir Kristo nuk ka paraqitur doreheqjen nga detyra.

Sipas nenit 127 të Kushtetutës një nga rastet e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues është përfundimi i mandatit 9-vjeçar.

Mandati 9–vjeçar i gjyqtarit Vladimir Kristo, sipas nenit të lartpërmendur, ka përfunduar në datën 25 prill 2016.  Ndërkohë sipas nenit 125, pika 7, të Kushtetutës, gjyqtari i kësaj Gjykate vazhdon të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit së tij. Gjykata në jurisprudencën e saj ka vlerësuar (vendimi nr.24/2011) se rregulli i vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të gjyqtarit kushtetues është parashikuar për të garantuar, mbi të gjitha, funksionimin normal të Gjykatës në rast të krijimit të vendeve vakante si pasojë e mosveprimit të ndonjërit prej organeve, të cilave Kushtetuta u njeh një rol të veçantë në këtë moment për zëvendësimin e gjyqtarëve të vjetër me gjyqtarë të rinj. Nisur edhe nga natyra kolegjiale e këtij organi të pavarur kushtetues, çdo mosveprim do të kishte pasoja në funksionimin e Gjykatës.

Këto parashikime janë reflektuar edhe në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, më konkretisht në nenin 179/1, sipas të cilit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sipas mandatit të mëparshëm.

 Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, pra zëvendësimin e   gjyqtarëve të cilëve u ka mbaruar mandati kushtetues, bazuar në nenet 149/d dhe 179/11 të Kushtetutës, në datën 27.01.2017 janë zgjedhur me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të thotë se automatikisht fillojnë procedurat edhe për zëvendësimin e gjyqtarit Vladimir Kristo.

Bazuar në sa sipër, gjyqtari Vladimir Kristo vazhdon të qëndrojë në detyrë në përputhje me parashikimet kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat