Ekonomi në Izrael: Shqipëria, një vend që meriton të vizitohet

Shqipëria

Ekonomi në Izrael: Shqipëria, një vend që meriton të vizitohet

Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 19:20
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, ndodhet në Izrael për një vizitë zyrtare. Në ditën e parë të vizitës, Ekonomi mori pjesë në hapjen e panairit Ndërkombëtar të Turizmit ‘IMTM 2017’, në Tel Aviv.

Shqipëria merr pjesë në këtë panair mes 58 shteteve të tjera të botës. Vendi ynë përfaqësohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe disa operatorë turistikë shqiptarë, të cilët e konsiderojnë si një mundësi të mirë për të zhvilluar kontaktet e tyre të biznesit. 

Gjatë ditës së parë të panairit, ministrja Ekonomi u shpreh entuziaste nga pjesëmarrja e lartë dhe interesi për stendën shqiptare, ku promovohen përmes broshurave, videove, dhe paketave turistike destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë. Ajo dha një intervistë për agjencinë kyesore te lajmeve ne Israel, Ynetnews.com, ku foli për potencialet turistike të Shqipërisë, të veçantat që ofron vendi ynë, duke u ndalur tek ato vlera se përse Izraelitët duhet ta vizitojnë Shqipërinë. Përmes kësaj interviste, ajo  ftoi qytetarët  e Izraelit të vijnë të vizitojnë Shqipërinë, pasi vërtet do të zbulojnë një destinacion të panjohur për ta. 

Nga ana tjetër, edhe operatorët turistike që marrin pjesë në këtë panair e konsiderojnë të rëndësishme pjesëmarrjen, pasi tregu izraelit është shumë i veçantë dhe për shijet e tij. Një prej këtyre operatorëve, Shkelqim Lama nga Tours Albania and Balkans shprehet se merr pjesë për herë të tretë në panairin ndërkombëtar të Tel Avivit dhe tashmë ka kuptuar interesin e lartë të këtij komuniteti për Shqipërinë. Ai tha se izraelitet janë me tepër të interesuar për turizmin malor, kulinarinë, klimën dhe vlerat historike të Shqipërisë. 

Ky panair ka një potencial të jashtëzakonshëm për të tërhequr turistë. Vitin e shkuar IMTM kishte 46 vende pjesëmarrëse, 1550 kompani apo stenda që prezantonin produktet apo destinacionet e tyre, ndërsa u vizitua nga 25 000 vizitorë, përfshi profesionistë të industrisë së turizmit dhe qytetarë të thjeshtë.  Shqipëria këtë vit është prezantuar në një sërë panairesh ku më i rëndësishmi ishte ai i Shtutgartit në janar të këtij viti, i pasuar nga disa panaire të tjerë si në Madrid, Slloveni. 

Gjatë vizitës, në të cilën ajo u shoqërua nga ambasadori ynë në Izrael, Bardhyl Canaj, ministrja u takua me homlogë të turizmit nga vende të tjera. Ekonomi pati rastin të takonte edhe shumë personalitete dhe sipërmarrës në fushën e turizmit, të cilët shprehën interes të madh për të njohur industrinë e turizmit në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat