Interpoli kërkesë zyrtare Tiranës për arrestimin e Balilit

Shqipëria

Interpoli kërkesë zyrtare Tiranës për arrestimin e Balilit

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 22:35
Klement Balili

Interpoli grek i transmeton Shqipërisë vendimin e formës së prerë për shpalljen në kërkim të Klement Balilit, dhe i kërkon për herë të dytë Policisë shqiptare kapjen e të kërkuarit.

Në datën 30 janar 2017, Interpol Athina i ka përcjellë Interpol Tiranës dokumentin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit në Greqi, e cila ka lënë në fuqi urdhërarrestin ndërkombëtar për biznesmenin nga Shqipëria për akuzën e trafikut të drogës. Urdhërarresti ndërkombëtar ndaj Balilit, me të dhënat FE 7698, datë 17.05.2016, është përditësuar nga pala greke me disa të dhëna të reja në lidhje me aktivitetin kriminal të personit të kërkuar.

“Është e nevojshme të vazhdojnë kërkimet ndaj tij, na njoftoni se keni lokalizuar këtë person, nëse është identifikuar gjeneraliteti i tij dhe nëse përdor apo jo të njëjtën pasaportë me nr. BF 2613552, apo ka një mjet tjetër identifikimi”, thuhet në shënimin e Interpolit grek.

Sipas akuzës së palës helene, grupi i Klement Balilit, i përbërë nga së paku 11 persona, akuzohet se gjatë aktivitetit kriminal ka transportuar në total 3.8 tonë kanabis dhe 83 kilogramë kokainë, në periudhën 2014- 2016.

Duket se kërkesa e palës greke, e rifreskuar dhe e përsëritur në adresë të Interpol Tiranës, ka nxitur edhe një herë kërkimet në Shqipëri për Klement Balilin. Policia mësohet se i ka kërkuar leje Prokurorisë për përdorimin e pajisjeve e metodave speciale të gjurmimit për të kërkuarin.

KËRKIMET NË SHQIPËRI

Bazuar në urdhërarrestin e lëshuar në datën 9 dhjetor 2016 nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Policia shqiptare ka kryer disa aksione pa sukses për kapjen e Klement Balilit.

Përveç katër operacioneve në Gjirokastër, Delvinë e Sarandë, në datat 9, 10, 11 e 12 dhjetor 2016, policia kreu kontrolle banesash në Tiranë dhe disa qytete të tjera më vonë. Në disa nga këto aksione, fillimisht u arrestua me amë pa leje një i njohur i Klement Balilit, ndërsa më 26 janar 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në gjykatë autorizimin për kryerjen e kontrolleve në një sërë banesash e biznesesh në Tiranë, Delvinë dhe Sarandë.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë, Gjykata ka krijuar bindjen dhe më pas ka dhënë autorizim për kontrollin e banesave dhe bizneseve, siç ka kërkuar organi i akuzës. Mësohet se në javët e fundit, Policia e Shtetit i ka kërkuar autorizim Prokurorisë edhe për përdorimin e një pajisjeje speciale gjurmimi me qëllim kapjen e Klement Balilit.

Burime jozyrtare kanë thënë se bëhet fjalë për pajisjen gjurmuese të telefonatave “IMSI-Catcher”, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për një aparaturë që ka hyrë rishtazi në Shqipëri për aksionin e kapjes së Klement Balilit, apo për aparaturën e cila u bë objekt hetimesh nga Prokuroria në qershor 2016 dhe që nuk u gjet asnjëherë.

Nga ana tjetër mësohet se policia ka vendosur edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh për informatorët e saj, që japin të dhëna për kapjen e Klement Balilit, kurse publikisht u deklarua se 5 milionë lekë të rinj do të jepen për qytetarët që informojnë policinë për vendndodhjen e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat