“Për shkak të sulmeve publike, prokurorët janë bërë subjekte të shantazhit”

Shqipëria

“Për shkak të sulmeve publike, prokurorët janë bërë subjekte të shantazhit”

Më: 9 shkurt 2017 Në ora: 11:45
Adriatik Llalla

Prokuroria e Përgjithshme vlerësoi, me anë të një deklarate zyrtare, reagimin e shpejtë të Policisë së Shtetit për arrestimin e shtetasit N.Ç., i cili ka kërcënuar në sallën e gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, prokurorin e e Krujës, Bujar Memia.

Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, prokurori ka paraqitur konkluzionet për djalin e shtetasit N.Ç, i akuzuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, dhe u kërkua dënimi me 8 vjet burgim. Në përfundim të seancës gjyqësore, shtetasi N.Ç. ka kërcënuar me jetë prokurorin, për shkak se ky i fundit kërkoi dënimin e të birit në bazë të provave.

Pavarësisht se nuk është rasti i parë që një prokuror kërcënohet për shkak të detyrës, Prokuroria e Përgjithshme tha se është vënë në dijeni se sjelljet intimiduese kundër prokurorëve, si zyrtarë të rëndësishëm të shtetit, janë shtuar ndjeshëm.

Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Përgjithshme shprehu angazhimin e plotë për mbështetjen e çdo prokurori të Republikës që ushtron detyrën në përmbushje të plotë të ligjit dhe Kushtetutës.

Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se do të vijojë të kërkojë me forcë nga të gjithë folësit publikë që të tregojnë maturi kur komentojnë punën e prokurorëve. Për shkak të sulmeve publike, prokurorët tashmë janë kthyer në subjekte të shantazhit dhe kërcënimit nga persona që përballen me ligjin për veprat penale që kanë kryer.

Prokuroria e Përgjithshme, duke ritheksuar mbështetjen e saj për Reformën në Drejtësi, vlerësoi se fjalori kundër prokurorëve, i përdorur për të justifikuar ndryshimet ligjore, ka demotivuar këta të fundit, të cilët, gjithsesi po vijojnë të përfaqësojnë denjësisht shtetin në proceset penale për persona të përfshirë në vepra penale.

Institucioni i drejtuar nga Adriatik Llalla kërkoi nga prokurorët e Rrepublikës që, për çdo rast shqetësimi apo kërcënimi gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, të njoftojë Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim që bashkërisht të veprojmë me të gjitha mjetet ligjore, për të siguruar mbrojtjen e integritetit të tyre fizik dhe profesional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat